Pak më shumë se një vit më parë, falë iniciativës së dy ish boksierëve kampionë të Vllaznisë, Emiliano dhe Klaudio Çekini, Puka formoi ekipin e boksit me emrin “Tërbuni Boks”.
Risia, nuk është vetëm formimi i ekipit që ndodh për herë të parë në këtë qytet të konkurojë në Kampionatin Kombëtar me një ekip boksi, sepse falë punës profesionale të vëllezërve Çekini, sukseset e njëpasnjëshme të boksierëve pukjanë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare, motivuan Federatën Shqiptare të Boksit që aktivitetin e Kampionatit Kombëtar të Boksit U19, i dyti për nga rëndësia, ta organizojë për herë të parë në qytetin e Pukës.
Kësisoj, falë edhe gadishmërisë së Bashkisë Pukë dhe konkretisht të kryebashkiakut tifoz, Rrod Dodaj, për tre ditë me radhë, në datat 27, 28, 29 Qershor, Puka mirëpret kampionatin kombëtar të boksit U19.
Një aktivitet ky, që përmes së cilit, ekipe të ndryshme dhe sportistë të spikatur do të dhurojnë emociome të forta sportive. Sheshi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Pukë, do të shndërrohet në arenën e vërtetë të një aktiviteti unik, ku përpos ringut të ngritur posaçërisht, do të gumëzhijë dhe nga atmosfera festive e këngëve dhe valleve, me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës shqiptare.
Për rëndësinë e këtij aktiviteti, përgatitjet dhe objektivat e ekipit “Tërbuni Boks”, fitimin e titullit kampion, flet për Veriu Sport, trajneri i këtij ekipi, Emilian Çekini.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të “Tërbuni Boks”, Emiliano Çekini, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU