Ka ndërruar jetë Xhevahir Taushani, një nga figurat më emblematike të futbollit në Elbasan dhe në Shqipëri gjatë viteve 60-të. Emri i tij mbetet i paharruar në historinë e sportit vendas dhe më gjerë.
Taushani nisi karrierën si futbollist që në moshë të re,duke u afirmuar shpejt si një mbrojtës i fortë,i disiplinuar dhe me një personalitet të spikatur në fushë.
Për dy sezone ai veshi fanellën e Dinamos, ku dha një kontribut të çmuar në elitën e futbollit shqiptar dhe fitoi respektin e të gjithëve.
Aftësitë dhe përkushtimi i tij e bënë pjesë edhe të ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë,ku mbrojti ngjyrat e vendit me dinjitet.
Pas mbylljes së karrierës si lojtar, Xhevahir Taushani nuk u shkëput nga futbolli. Ai u angazhua si drejtues pranë klubit të Elbasanit, duke kontribuar në rritjen dhe edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e mëtejshëm të ekipit.
Kujtimi për Xhevahir Taushanin do të jetojë gjatë në zemrat e sportdashësve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.
Figura e tij do të mbetet përherë e respektuar, e shkruar me germa të arta në historinë e futbollit elbasanas dhe atij shqiptar.
Elbasani dhe futbolli shqiptar i përkulen me nderim figurës së tij të paharrueshme.
Fatos LAMAJ