Kombëtarja shqiptare e 17 vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku për herë të parë që nga marrja e drejtimit të skuadrës, ka barazuar mbrëmjen e sotme në ndeshjen e parë miqësore ndaj përfaqësueses së Bosnje Hercegovinës me rezultatin 0-0, në ndeshjen e luajtur në Elbasan Arena duke filluar nga 17:00.
Kuqezinjë e vegjël kanë luajtur ndeshjen e parë për këtë vit, në kuadër të përgatitjeve për turneun eliminator të muajit nëntor që do të zhvillohet në Irlandën e Veriut ku skuadra jonë do të ketë përballë vendasit, Italinë dhe Skocinë. Pas disa seleksionimeve të kryera nga muaji shkurt e deri më sot, Ervin Bulku sot zhvilloi testin e parë me një grup të rinjsh lojtarësh, të cilët gjatë vitit do të kenë mundësi të tregojnë cilësitë e tyre dhe për të bindur trajnerin kuqezi që të jenë pjesë e grupit që do të shkojë në eliminatore, duke filluar nga e premtja e 21 majit ku në Niko Dovana do të luajnë ndeshjen e dytë miqësore, përsëri ndaj Bosnje Hercegovinës.
Ndeshja e sotme pati dy tablo, me fraksionin e parë të lojës që pa fqinjët ballkas me një superioritet në lojë, duke tentuar më shumë portën tonë, ndërkohë që në fraksionin e dytë edhe falë disa ndërhyrjeve në skuadër kuqezinjtë arritën të marrin në kontroll lojën duke kërkuar edhe portën kundërshtare. Testi miqësor vlejti për të aktivizuar një pjesë të rëndësishme të lojtarëve të grumbulluar, të cilët do të vazhdojnë stërvitjet e tyre në Kompleksin Tropikal, në prag të përballjes së dytë miqësore.
Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Totoshi, Muça, Haxhari, Gjinovci (Koleci), Hasanago (Kurti), Syla, Kasmollari (Kashari), Dama (Kasa), Zaganjori (Tairi), Xhixho, Sufka(Shtraza).