Vllaznia-Pogradeci 0-3 (16-25, 11-25 19-25)
Java e katërt e Kampionatit Kombëtar për Superligën e volejbollit femra, vuri përballë Vllazninë dhe Pogradecin. Ndeshja e luajtur pasditen e së premtes në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës u dominua tërësisht nga skuadra mike, e cila i fitoj të tre setet.
Në setin e parë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Dorjan Tafa që dominohet nga volejbollistet e reja bëri përpjekjet e duhura për të rivalizuar skuadrën mike, në përbërjen e së cilës ka kualitete, vendase dhe të huaja, por nuk ia doli duke e humbur atë 16-25
Dominimi i Pogradecit të drejtuar nga një trajner shkodran si Besnik Lisha ishte edhe më i madh në setin e dytë, teksa e mbyllin edhe atë me fitore me shifrat 11-25.
Realisht, seri i tretë ishte më i bukuri i krejt takimit, kjo edhe për meritë të Vllaznisë, e cila luftoi fort për ta fituar me synim që të rihapte takimin. Deri tek pika e 19-të rivaliteti ishte i pranishëm, por më pas, mikeshat nga Pogradeci shkëputen duke e fituar atë 19-25 dhe krejt ndeshjen me sete 0-3.
Në deklaratat e dhëna pas ndeshjes, trajneri fitues Besnik Lisha vlerësoi luftën sportive të vajzave të reja, por përcolli mesazhin që nëse volejbollistet shkodrane që luajnë në ekipet e kampionatit shqiptar, rikthehen në Shkodër, Vllaznia është kampione. Përsa i përket skuadrës së tij, me katër fitoret radhazi, Pogradeci shfaqet pretendent për titull, ndërsa pritet me interes përballja e javës së pestë, Pogradeci-Dinamo. Ndërkohë, për Vllazninë, kjo ishte humbja e tretë në katër javë kampionat, por për trajnerin Dorjan Tafa, duke shpresuar në ndonjë përforcim të mundshëm, situata pritet të ndryshojë.
(Video) Prononcimet e plota të dy trajnerëve Dorjan Tafa të Vllaznisë dhe Besnik Lisha të Pogradecit, si dhe pamje nga ndeshja Vllaznia-Pogradeci, seti i dytë dhe i tretë, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.



