Falë lojrave shumë cilësore, shoqëruar edhe me rezultate pozitive, Vllaznia e këtij sezoni futbollistik, për hirë të së vertetës është shpërblyer vazhdimisht me shuma të ndryshme financiare. E thënë më saktë, bazuar edhe në periudhat e mëparshme të kampionateve kombëtare, kuqblutë e këtij sezoni mbajnë rekordin e premiove të dhëna pas çdo fitore, apo edhe barazimi në varësi të ndeshjes në fjalë.
Përjashtim nuk do të bënte as ndeshja e së premtes në “Air Albania” ku fitorja në transfertë 0-1 ndaj Partizanit është shpërblyer me 15 mijë Euro. Shumë, që sipas opinionit sportiv shkodran dhe më gjërë, e meritojnë plotësisht, madje, referuar spektaklit që dhanë në fushën e lojës, meritojnë edhe më shumë.
Por, natyrisht, shuma e shpërblimit pritet të jetë shumë herë më e madhe me disa zero prapa nëse pas 90-të minutave të fundit kuqeblutë do të arrijnë të shpallen kampionë, për të cilën nevojitet një fitore ndaj Laçit me gola më shumë se sa Teuta rivale që janë me pikë të barabarta, por që durrsakët kanë një gol më shumë në bilancin me Vllazninë.