KF Shkodra-F.C T-Kamza 1-1(Shënues: Ivan Sanchez Escallon 13’/Enes Koçi 24’). Kategoria e Tretë, java e parë
Sezoni sportiv 2024-2025 i vlefshëm për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë, ka rikthyer në konkurim dy ekipet e rritura të KF Shkodra dhe F.C T-Kamza. Dy ekipe këto, që në fakt kanë histori në futbollin shqiptar, sidomos Kamza që ka luajtur për shumë sezone edhe në eliten e Superiores, por në të njëjtën kohë edhe KF Shkodra e drejtuar nga kryetrajneri Taip Piraniqi ka një traditë jo te paktë, pasi i është afruar shumë superiores pak vite më parë, kur vetëm një barazim i duhej në stadiumin “Qeman Stafa” aso kohe përballë Kastriotit për të arritur objektivin, por që fatkeqësisht nuk u realizua.
Në të tilla kushte, sipas rregullores së FSHF-së, të dy klubet e kanë nisur edhe një herë aventurën e tyre nga niveli më i ulët, Kategoria e Tretë, me synim të ecin më lart gjatë vazhdimësisë.
Dhe, kalendari i vendosi përballë njëra tjetrës që në javën e parë, ku në ndeshjen e luajtur pranë fushës së futbollit Shtoj-Shkodër, skuadra vendase e drejtuar nga trajneri Denis Zmijani kalon e para në avantazh me golin e shënuar nga Ivan Sanchez Escallon në të 13-tën minutë.
Nuk vonon shumë dhe Kamza e drejtuar nga Andi Lila, ai që bëri të mundur formimin e këtij klubi pak ditë më parë, arrin të shënojë pas njëmbëdhjetëminutash me autor Enes Koçi.
Në barazim 1 me 1 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që pas kthimit nga dhomat e zhveshjes lufta sportive në të dy kampet respektive ështe edhe më e fortë dhe luftarake.
Rastet për KF Shkodrën nuk mungojnë për të kaluar në avantazh, por ndërkohë edhe Kamza tregon se ka ardhur për fitore, teksa ka theks sulmues në lojën e saj.
Megjithatë, nuk ka gol më dhe pas dy minutave shtesë nga koha e rregullt, arbitri kryesor Gryka vërshëllen për mbylljen e të gjithë ndeshjes.
Barazim 1 me 1, që në fakt nuk kënaq asnjëren prej skuadrave, pasi, sipas deklaratave të trajnerëve përkatës, në të dy kampet respektive, fitorja ishte objektivi i tyre.
(Video) Pamje nga ndeshja KF Shkodra-F.C T-Kamza , si dhe prononcimet e trajnerit të KF Shkodra Denis Zmijani si dhe Ivan Sanchez Escallon, autor i golit për Shkodrën, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YPUTUBE.
Gaspër MARKU



