Gazetari i mirënjohur sportiv, Saimir Demi është nderuar(pas vdekjes) me çmimin “Ismet Bellova”. Ceremonia në fjalë është zhvilluar sot në Tiranë në një aktivitet të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me kryetar Aleksandër Çipa, mundësuar nga Ambasada Gjermane dhe Programi Rajonal i GIZ bashkefinancuar nga BE.
Aktivitet i cili përkon me edicionin e 17-të të ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrës në konkursin “Vangjush Gambeta”-2025.
Aktiviteti, i moderuar me profesionalizëm nga Suela Demiri dhe Loneda Progni, u shndërrua në një festë të vlerave të gazetarisë, duke bashkuar kolegë nga e gjithë hapësira shqiptare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Me shumë interes u prit dorëzimi i çmimit “Ismet Bellova” për gazetarin e mirënjohur sportiv Saimir Demi(pas vdekjes), një çmim ky që vjen ky për të pestin vit radhazi për gazetarinë sportive.
Ka qënë gazetari i mirënjohur Defrim Methasani, i cili në cilësinë e drejtuesit të Unionit të gazetarëve sportivë, i dorëzoi djalit të kolegut Saimir Demi, Bjornit dhe bashkëshortes së tij Albana, çmimin në fjalë, me këtë motivacion:
“Për profesionalizmin e treguar ndër vite me shkrimet dhe emisionet e tij, duke i dhënë sportit më shumë vlerë, personalitet dhe vertetësi. Gazetari Saimir Demi do të mbetet një emër i nderuar në gazetarinë sportive, në kujtesën e disa prej redaksive më të njohura të profilit në hapësirën shqiptare. Kontributi i tij vlen si model frymëzimi për gazetarët e rinj të sotëm, dhe ato që do të vijnë”.
“Ky çmim, dedikuar gazetarit dhe njeriut të mirë Saimir Demi, është një titull që lehtësoi shpirtërisht jo vetëm Albanën apo djalin Bjorni, vëllain Enkel Demi, apo të afërmit e tij, por edhe RTSH Sport dhe familjen e madhe të gazetarëve sportiv në Shqipëri. U kujtofsh përjetë i miri Sajme…!,-theksoi ndër të tjera në fjalën e tij Defrim Methasani.

Në emër të familjes Demi, Enkel Demi, vëllai i gazetarit të ndjerë Saimir Demi, falenderoi organizatorët e aktivitetit dhe kolegët e RTSH Sport, ku Saimiri shërbeu prej vitesh në postin e kryeredaktorit me shumë përkushtim dhe profesionalizëm.

Ndërkohë, në kuadër të aktivitetit në fjalë, Edicioni i 17-të i konkursit “Vangjush Gambeta”-2025 për gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa, u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse, se organizata që ai drejton është më masivja në komunitetin e gazetarëve shqiptarë në hapësirën shqiptarë me një kontribut që po shkon në dy dekada.

Kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, theksoi gjithashtu, se veprimtaria gati dydekadëshe e Unionit përfaqëson një zë të fuqishëm në mbrojtje të lirisë së medias, solidaritetit profesional dhe identitetit të gazetarit shqiptar.

Aktivitetin e përshëndetën edhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Sh.T. Karl Bergner, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi; Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi; kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mediat, Jorida Tabaku; si dhe personalitete të njohura të medias dhe jetës publike.

Fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë, janë: Eliza Gjediku, Ilda Hoxha, Uran Haxha, Anëmsha Shabani.
Çmimi “Raportimi më i mirë i vitit”– Florian Goga
Çmimi “Reporteri më i mirë i vitit”– Eraldo Harlicaj
Çmimi special – Besim Dybeli
Çmimi “Gazetari sportiv i vitit”– Saimir Demi
Çmimi i “Karrierës I” – Nazim Rashidi
Çmimi i “Karrirës II”– Artur Zheji
(Video) Pamje nga ceremonia organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, konkursi “Vangjush Gambeta”-2025. Momenti i dekorimit të gazetarit sportiv Saimir Demi(pas vdekjes).
Gaspër MARKU



