Dy sfidat e para të javës së 20-të. “Abissnet Superiore”, nisin me ndeshjet Egnatia-Elbasani dhe Flamurtari-Bylis, që të dyja me nisje në ora 17:00.
Në “Egnatia Arena”, Egnatia pret AF Elbasanin në një përballje spektakolare mes dy vendeve të para në renditje. Një sfidë me interes të veçantë, ku objektivi i të dyja ekipeve është fitorja. Egnatia synon të reagojë pas humbjes ndaj Vllaznisë dhe të rikthehet te suksesi në kampionat, ndërsa AF Elbasani vjen në këtë ndeshje pas tre javësh pa fitore dhe kërkon triumfin për të barazuar Egnatian në renditje.
Në të njëjtën orë, në Vlorë, Flamurtari do të përballet me Bylisin. Vlonjatët, që renditen në vendin e parafundit, do të kërkojnë rikthimin te fitorja në shtëpi për të siguruar pikë të rëndësishme në kampionat.
Tre ndeshjet e tjera të javës së 20-të janë programuar të hënën. Në orën 13:30, Vora pret Tiranën në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me moral të lartë, pas sukseseve në javën e fundit.
Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Të kuqtë kërkojnë të reagojnë pas humbjes ndaj Vorës, ndërsa Teuta vjen pas barazimit me Dinamo City-n dhe synon të marrë rezultat pozitiv në transfertë.
Dinamo-Vllanzia është rezervuar të luhet në mbyllje të javës së 20-të, një supersfidë që premton spektakël në “Air Albania”. Të dyja skuadrat vijnë në këtë ballafaqim në të njëtën kuotë pikësh, 33, duke mbajtur vendin e dytë dhe të tretë në renditje.
Kalendari i ndeshjeve të javës së 20-të, Abissnet Superiore
Sot
Egnatia-Elbasani(17:00)
Flamurtari-Bylis(17:00)
Nesër
Vora-Tirana(13:30)
Partizani-Teuta(17:00)
Dinamo-Vllaznia(19:30)
Fatos LAMAJ




