Dy fitore dhe një barazim, është bilanci i tre ndeshjeve miqësore që Besëlidhja ka zhvilluar gjatë fazës përgatitore dimërore.
Skuadra lezhjane, e drejtuar nga trajneri shkodran Elvis Plori, në përbërje të cilit është edhe një kontigjent futbollistësh të njohur shkodran, me në krye kapitenin Abaz Karakaçi, miqësoren e parë e luajti ndaj Ilirisë së Fushë Krujës, skuadër e cila luan në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë. Ndeshja e luajtur në fushën sportive të Kavajës është fituar nga Besëlidhja me rezultatin 1 me 0, me gol të shënuar nga Alcani.
Miqësorja e dytë ishte ajo e luajtur në kompleksin Tropikal të qytetit të Durrësit ndaj Lirisë së Prizrenit. Në barazim 2-2 është mbyllur kjoi ndeshje, ku golat për Besëlidhjen u realizuan nga futbollisti me ngjyrë i ardhur në merkaton e janarit, Oduro 64’ 83’.
Ndërkohë, miqësorja e tretë ishte përsëri ndaj një skuadre nga Kosova, FC Besës së Pejës. I gjithë takimi u mbyll me fitoren e Besëlidhjes me rezultatin 2 me 1, me nga një gol në secilen pjese, fillimisht nga Rraboshta në të gjashtën minutë dhe Danaj në të 80-tën.
Për stafin teknik të Besëlidhjes me në krye trajnerin Elvis Plori, miqësoret në fjalë kanë qënë një test shumë pozitiv, sidomos duke i dhënë mundësinë aktivizimit të lojtarëve të rinj të ardhur në merkaton e janarit.
Në mbyllje të fazës së parë të kampionatit, Besëlidhja kryeson grupin A të Kategorisë së Dytë e ndjekur nga Sopoti me 1 pikë më pak dhe Shiroka me 3 më pak. Ndeshjen e parë të vitit 2026, që është edhe e para për fazën e dytë, do ta luajë në shtëpi duke pritur ekipin Basania FC, përfaqësues të Bushatit të Bashkisë Vau i Dejes.



