Një lajm i trishtë ka ardhur sot për komunitetin sportive dhe kryesisht atë të basketbollit. Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, një prej figurave më të spikatura të basketbollit shqiptar, Spiro (Pirro) Koleka.

Një nga figurat më të dashura të viteve ’70, duke përfaqësuar 17 Nëntorin aso koke, sot KS Tirana, ku përkrah kolegëve të tij, Kujtim Kasmi, Nino Shkurti, Stavri Bello, trajnerit Bujar Shehu, etj, fituan trofe.
Postimi zyrtar i KS Tirana
Lamtumirë, Spiro Koleka
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të një prej emrave më të mëdhenj të basketbollit tiranas dhe kombëtar, Spiro Koleka.
Ish-numri 10 i “17 Nëntorit” Tiranë, Spiro ishte pjesë e artë e klubit gjatë viteve 1967–1984. Me fanellën bardheblu, ai la gjurmë të pashlyeshme: zemër, disiplinë, talent dhe krenari. Një kampion në parket dhe një njeri i përkushtuar jashtë tij.
Nga 2015–2020, shërbeu si shef i Klubit të Tiranës, gjithmonë pranë ekipit që deshi me gjithë zemër, duke dhuruar përvojën dhe pasionin e tij për sportin që i dha kaq shumë.
Sot Tirana humbet një simbol, sporti shqiptar humbet një figurë të rrallë, ndërsa familja, miqtë dhe shokët e ekipit humbin një njeri të madh. U prehsh në paqe kampion
Postimi zyrtar i Federatës Shqiptare të Basketbollit
Me dhimbje mora lajmin e ndarjes nga jeta të Spiro (Pirro) Kolekës, një emër i madh i basketbollit shqiptar dhe një njeri që i dha këtij sporti shpirt, dinjitet dhe vizion.
Pirro Koleka ishte pjesë e atij “brezi magjik” që nuk ndërtoi vetëm skuadra fituese, por krijoi identitetin dhe krenarinë e basketbollit shqiptar. Ai ishte shembull profesionalizmi, pasioni dhe përkushtimi të rrallë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve, ku me dinjitet përfaqësoi shkollën tonë sportive në arenën ndërkombëtare.
Humbja e tij është një plagë e madhe për familjen e basketbollit, për Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe për gjithë sportin shqiptar. Por trashëgimia që Pirro Koleka la pas, vlerat, puna, frymëzimi për brezat e rinj, do të jetojë gjatë dhe do të mbetet udhërrëfyes për të gjithë ata që besojnë se sporti është karakter, sakrificë dhe dashuri.
Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Basketbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Koleka, miqve, bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit sportiv.
U prehsh në paqe, Pirro. Basketbolli shqiptar do të të kujtojë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
Avni Ponari
President i Federatës Shqiptare të Basketbollit
Portali Veriu Sport, i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, familjes Koleka për humbjen e njeriut të tyre të afërt dhe mbarë komunitetit sportiv, për humbjen e kësaj figure të nderuar sportive.
Pushofsh në paqe, Pirro!
Gaspër MARKU



