Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, në lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive”-TVSH
“Jemi të kënaqur me pozicionin që jemi dhe me performancën e ekipit. Duhet punë dhe duhet të veprojmë me qetësi. Duhet t’i vlerësojmë ndeshjet dhe kundërshtarët. Janë 5 skuadra që luftojmë për të njëjtat objektive. Duhet të ruajmë euforinë. Ekipi duhet të ecë me këmbë në tokë.
Vllaznia ka një shpirt shkodrani pak më ndryshe. Trajneri dhe drejtori teknik janë emra të mëdhenj të futbollit në Shkodër, grupi është konsoliduar, janë bashkangjitur lojtarë me eksperiencë, Kallaku, Kastrati, portieri. Grup i mirë që luan futboll.
Të gjithë e kanë dëshirën për të arritur objektivin madhor të titullit kampion Shpresoj që në fund të sezonit ta realizojmë. Peng ishte viti 2021 kur nuk dolëm kampion. Për ne atëherë ishte një surprizë dhe peng. Pastaj kampionati i vjetshëm ishte një dështim për mënyrën si u luajt finalja. Sinani dhe Martini kanë bërë punë të mrekullueshme me afrimin e lojtarëve. Kemi 25 vite që nuk dalim kampion, kohë e gjatë. Me ndihmën e Zotit, ky do të jetë viti jonë.
Edi Martini është emër i madh i futbollit dhe Shkodrës. Kjo Vllaznia ka një shpirt shkodran. Ata po mundohen të implementojnë filozofinë tek ekipi. Kemi një kapiten si Bekim Balaj, një emër i madh me kontribut në futbollin shqiptar. I gjithë grupi ka një qëllim. Të ruajmë qetësinë dhe t’i luajmë ndeshjet me seriozitet. Partizani po bën një kampionat të mirë. Faza e katërt do jetë luftë. Humbjet janë mësim, disfata ndaj Bylisit, ishte diçka jo e mirë. Të jemi pozitiv, kjo është e rëndësishme.
Në Shkodër të gjithë flasin për futbollin, të gjithë e njohin futbollin dhe bëjnë specialistin. Po mundohemi të shkojmë në çdo shtëpi, te tifozët e vërtetë të Vllaznisë. Të zgjojmë interesin e brezit të ri. Tifozi e ka vendin në stadium. Futbolli bëhet për tifozët, pa tifozët nuk jemi asgjë. Jemi munduar të bëjmë fushatë, te shkollat tek akademitë. Duam që “Loro Boriçi” të mbushet në çdo ndeshje. Duhet të jemi sa më afër tifozëve. Vllaznia është një brend, duhet të ndërtojmë emrin dhe imazhin. Futbolli është përtej asaj që luhet në fushë.
Kur nisëm projektin, objektiv kishim që të ishim në 4-5 vendet e para. Unë kam ardhur duke mësuar. U bë viti i gjashtë në futboll. Shpresoj që në fund të arrijmë objektivin.
Kemi fatin që kemi Edi Martinin, Sinanin, kapitenin Balaj, që kanë eksperiencë, e njohin mirë realitetin shkodran dhe kampionatin. Ky ansambël është i mjaftueshëm për të mësuar nga gabimet dhe për të arritur objektivat që dëshirojmë.
Shitja e Dodajt ishte më e madhe në historinë e Vllaznisë. Ardhja e tij në formë huazimi është diçka e shkëlqyeshme, po jep kontribut. Kemi lojtarë që janë kontigjent i mirë për të ardhmen. Kastrati, Kallaku, Gjini, janë lojtarë që mund të lëvizin në qershor, zë i rëndësishëm është dhe transferimi i lojtarëve”.


