Të fitosh 8-0 dhe të shkarkohesh nga detyra e trajnerit! Po, ka mundësi. I ka ndodhur brazilianit Filipe Luis, trajnerit të Flamengos. Ish-lojtari i Atletico Madrid ka lënë detyrën pas fitores tenistike ndaj Madureira, në gjysmëfinalen e kthimit të kampionatit Carioca.
Vendimi është marrë për shkak të vështirësive që ka pasur trajneri gjatë javëve të para kampionatit elitar brazilian, ku Flamengo ka marrë vetëm 4 pikë në 3 ndeshje dhe mban vendin e 11-të në klasifikim.
“Clube de Regatas do Flamengo informon se nga kjo e martë Filipe Luis nuk do të jetë më në krye të skuadrës. Bashkë me të, edhe Ivan Palanco (zëvendëstrajner) dhe Diogo Linhares (përgatitës fizik) largohen nga klubi. Flamengo e falënderon ish-lojtarin dhe trajnerin Filipe Luis për gjithçka ka bërë gjatë këtij rrugëtimi. Klubi i uron suksese dhe fat në vazhdim të karrierës së tij si profesionist”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit brazilian.



