Java e 26-të e Kategorisë së parë nuk ka patur rezultate surprizë. Skënderbeu dhe Laçi, skuadrat e kreut të renditjes kanë fituar në transfertë duke ruajtur pozitat. Ndërsa vazhdon të jetë e paqartë situata në fundin e tabelës.
Kategoria e Parë ka zhvilluar të shtunën ndeshjet e javës së 26-të. Vëmendjen e ka marrë sfida e luajtur në stadiumin „Roza haxhiu“, ku Lushnja vendase priti Luftëtarin. Dy skuadra me emër në futbollin shqiptar, por që këtë radhë luajnë për të siguruar tri pikë mbijetese në kategorinë e parë.
Lushnja ishte më kërkuese përgjatë gjithë pjesës së parë. (12) kapiteni i skuadrës lushnjare, Canka është protagonist duke drejtuar skuadrën drejt portës kundërshtare. Në minutat e fundit janë miqtë nga Gjirokastra që mundohen të kundërpërgjigjen (42) por Koreshi largon topin me kokë duke shpëtuar portën e skuadrës së Lushnjes.
Në pjesën e dytë vendasit janë më këmbëngulës në kërkim të 3 pikëve aq të çmuara për mbijetesën. (50) Mikel Canka fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës, gjuan Allmuça por topi shkon mbi traversë. Në 62’ sërish kapiteni i skuadrës lushnjare shfaqet rrezkshëm por goditja e tij grushtohet nga portieri i Luftëtarit.
Luftëtari arriti të neutralizojë sulmet e shumta të vendasve duke dalë nga “Roza Haxhiu” me 1 pikë. Lushnja është e pakënaqur me barazimin 0-0, që vjen pas 6 humbjeve radhazi, pasi 1 pikë nuk e nxjerr aspak skuadrën e Artan Banos nga situata kur me 21 pikë ndodhet në vendin e 10 po aq sa Luftëari i vendit të 11.
Ndërkohë që gara për kreun e Kategorisë së Parë vazhdon pasi Skënderbeu mundi Apoloninë 0-1 në transfertë. Po 3 pikë në transfertë mori edhe Laçi i vendit të dytë që mundi Korabin 0-1. Në ndeshjet e tjera u arritën këto rezultate, Iliria fitoi 1-0 me Kastriotin. Burreli barazon 0-0 me Kukësin ndërsa Besa mundet në fushën e vet 2-3 nga Pogeradeci.


