Kombëtarja shqiptare U-19 zhvilloi pasditen e sotme ndeshjen e parë të grupit B4 në kualifikueset e Europianit, duke u përballur me Luksemburgun në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Tafaj zhvilluan një ndeshje të luftuar, por u mposhtën me rezultatin 2-1.
Trajneri Tafaj aktivizoi këtë formacion titullar: Raffaele Huli (GK), Lucas Cekrezi, Kris Gecaj (C), Leon Sylejmani, Andreas Llana, Gabriel Kulla, Arman Durmiši, Oliver Blini, Endrit Asani, Rikardo Sheji dhe Serxhio Vogli.
Pavarësisht disavantazhit të dyfishtë në pjesën e parë, ku miqtë shënuan në minutat 28-të dhe 35’-të kuqezinjtë reaguan menjëherë. Arman Durmishi ngushtoi shifrat në minutën e 44-t, pas një aksioni të bukur të nisur nga një anësore e Cekrezit, duke rikthyer skuadrën në lojë për pjesën e dytë.
Në fraksionin e dytë, Shqipëria U-19 tregoi karakter dhe dominim në lojë, duke krijuar disa raste të rrezikshme për gol, por pa arritur të konkretizojë. Pavarësisht përpjekjeve, sfida u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Luksemburgut.
Në ndeshjen tjetër të grupit B4, Norvegjia fitoi 1-0 ndaj Maltës në stadiumin “Niko Dovana”.
Kombëtarja do të luajë më 28 mars ndaj Maltës ndeshjen e dytë të këtij raundi. Takimi do të zhvillohet po në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 15:00.


