E premtja ka qënë dita e fundit e përgatitjeve të Vllaznisë në qytetin e Shkodrës, se anca e së cilës është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Burime zyrtare nga Klubit i Futbollit Vllaznia bëjnë të ditur se për ditët e tjera në vazhdim, skuadra kuqeblu do të zhvendoset nga Shkodra për t’u sistemuar për rreth 10 ditë në Zllatibor të Serbisë, një qytet piktoresk që gjatë periudhës verore mbizotëron klima e freskët. Është kjo arsyeja që Vllaznia ka zgjedhur të zhvillojë fazën përgatitore themelore në këtë qytet, gjë që në fakt e ka bërë edhe në vitet e mëparshme.
Nga sa bëhet e ditur, ditët e fundit në Zllatibor ishte i pranishëm zëvendëstrajneri Elvis Plori ku së bashku me ish drejtuesin e KF Vllaznia, Ardian Zaganjori që është njohës i mirë i kësaj zone, i cili pau ng afër mjediset akomuduese dhe stervitore të Vllaznisë.
Ndërkohë që në bashkëpunim edhe me skuadra të tjera që janë të sistemuara në kampingun e Zllatiborit, Plori ka gjetur akordin me homologët e tij për të zhvilluar tre ndeshje miqësore me skuadra të ndryshme, serbe, malazeze dhe nga rajoni.
Por, përpara se të niset drejt Serbisë për fazën përgatitore, gjë e cila është lënë mëngjesin e së dieles, drejtuesit kuqeblu kanë planifikuar një ndeshje miqësore, të cilën do të zhvillojnë të shtunën në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Kundërshtari do të jetë skuadra përfaqësuese e Podgoricës, Buduçnost.
Nga sa bëhet e ditur për takimin në fjalë, Buduçnost-Vllaznia do të lejohen tifozët të jenë present në stadium sipas një standarti të miratuar nga struturat shëndetësore malazeze.
Ndërkohë, sa i përket priudhës së merkatos, tek Vllaznia gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë, të paktën deri më tani. Kështu, zyrtarisht kuqeblutë kënë bërë realitet zyrtarizimin vetëm të dy futbollistëve, që të dy në repartin e mbrojtjes, fillimisht të riut Egzon Shimaj që sezonin e kaluar luajti me Besen e Kavajës, ndërkohë që tjetri vjen nga kampionati malazez, qëndërmbrojtësi Darko Bulatoviç që në në sezonin e fundit luajti për skuadrën e Sutjeskës së Nikshiqit në Superligën malazeze. Ndërkohë, ajo që shqetëson më tepër është largimi i disa futbollistëve titullarë nga skuadra kuqeblu. Dhe, bëhet fjalë për titullarë me peshë të formacionit të saj, si mbrojtësit Herald Marku dhe Dajan Shehi, të cilët që të dy preferuan të veshin uniformën e Partizanit, për të vijuar me shqiptaro-maqedonasin Demir Imeri që la Vllazninë për t’u bashkuar me Teutën e Durrësit, si dhe maqedonasin Aleksandër Isajevski që pritet të zyrtarizohet tek njëra nga tre skuadrat e kryeqytetit, apo edhe tek Kukësi.
Largime këto që padiskutim e kanë dobësuar jo pak forcën e skuadrës kuqeblu dhe që në opinionin sportiv shkodran ka pasur reagime të shumta për lënien të lirë të këtyre futbollistëve që sezonin e kaluar kishin peshë kryesore në skuadrën kuqeblu. Në listën e largimeve është edhe zëvendëstrajneri Safet Osja, për të cilën akoma nuk dihen saktësisht motivet e një lëvizje të tillë kur për figurën e tij sportive dhe punën që ka bërë tek stafi kuqeblu ka pasur vlerësime pozitive.
Nga ana tjetër, përpos dy përforcimeve të para në repartin e mbrojtjes, drejtuesit kuqeblu janë në tentative për të ofruar një sulmues gjerman me origjinë kroate, Kreshimir Kovaçeviç, por edhe dy futbollistët e tjerë që vazhdojnë të jenë në provë tek Vllaznia, Bruno Oliveir dhe Markovanbasten Çema.