Dueli i parë gjysmëfinal i Kupës së Shqipërisë, Dinamo-Vllaznia u mbyll në barazim 1 me 1 në fushën e lojës, por “lufta e ftohtë” vazhdon edhe pas ndeshjes.
Bëhet fjalë për dy momentet e fundtakimit, i pari me Dejvi Bregun dhe i dyti me Bruno Ditën, të cilët janë shfaqur me veprime anti-sportive në fushën e lojës. Në të dy rastet janë pamjet filmike, ato që ekspozojnë qartazi veprimet e dy futbollistëve dinamovitë ndaj kuqebluve.

Bregu, pasi arrin të shënojë në limitin e shtesës së ndeshjes nga pika e penalltisë, shfryn ndaj portjerit shkodran Aron Jukaj, jo vetëm duke pështyrë në drejtim të tij, por edhe duke e shoqëruar me ofendime duke mos i ikur inati për pritjen e penalltisë së parë nga Jukaj në këtë ndeshje.
Ndërkohë, gjithnjë duke iu referuar edhe pamjeve filmike, në mbyllje të krejt ndeshjes, Dita, i drejtohet me gjest anti-sportiv tifozëve kuqeblu në tribunën qëndrore të “Air Albania” duke imituar atë çfar ka bërë Edi Martini pas fitores ndaj Dinamos në “Loro Boriçi”, për të cilën vuajti edhe ndëshkimin nga Komisioni i Disiplinës.
Veprime këto që nuk janë pritur aspak mirë nga tifozëria kuqeblu dhe opinioni sportiv në përgjithësi.
Falë këtyre episodeve, sidomos në Shkodër, situata është jo pak e tensionuar duke paralajmëruar një “klimë të nxehtë” për sfidën e kthimit gjysmëfinale në “Loro Boriçi”.
Por, më së shumtmi, në kampin kuqeblu, jo vetëm mjedisi sportiv, por edhe zyrtarët e KF Vllaznia, janë në pritje të vendimeve të Komisionit të Disiplinës për të mësuar se me çfar masash do të ndëshkohen veprimet në fjalë?


