Petrokub-Egnatia 1-1(Shënues: Popesku 1’/ Kryeziut 37’)
Egnatia e ka nisur me një barazim të vlefshëm 1-1 aventurën në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League.
Kampionët e Shqipërisë morën një rezultat pozitiv në transfertën ndaj Petrokub duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në “Arena Egnatia”.

Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për rrogozhinasit dhe pas vetëm një minute lojë një gabim në prapavijë nga Aleksi u shfrytëzua nga Popesku i cili dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi Petrokub në avantazh.
Megjithatë Egnatia reagoi menjëherë dhe mori kontrollin e lojës teksa dominoi në zotërimin e topit dhe krijoi disa raste të mira derisa në minutën e 37-të gjeti golin e barazimit me anë të Kryeziut që finalizoi me saktësi një aksion të ndërtuar bukur.
Fillimi i pjesës së dytë solli një tjetër moment kyç ku më minutën e 46-të pas ndërhyrjes së sistemit VAR Aleksi u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë Egnatian me dhjetë lojtarë për të gjithë pjesën e mbetur të takimit.
Edhe pse në inferioritet numerik kampionët shqiptarë treguan karakter dhe disiplinë taktike duke mbrojtur me sukses rezultatin.
Vendimtar në këtë fazë të lojës ishte portieri Dajsinani i cili me disa pritje të shkëlqyera shmangu golin e dytë të moldavëve dhe u shndërrua në heroin e mbrëmjes për Egnatian.
Takimi shënoi edhe debutimin me fanellën bardhejeshile të disa afrimeve të reja ku për herë të parë me Egnatian u aktivizuan Jago,Bitri,Lukili,Diabate dhe Smajli ndërsa rikthimin e tij e bëri edhe Ndreca.
Pas këtij barazimi çështja e kualifikimit mbetet plotësisht e hapur ndërsa sfida vendimtare do të luhet më 15 korrik në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë ku kampionët shqiptarë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë mbështetjen e tifozëve për të siguruar kalimin në raundin e dytë të UEFA Champions League.
Fatos LAMAJ


