Stadiumi, “Kampi Nacional, Hajvali”, vetëm pak kilometra larg qëndrës së kryeqytetit të Prishtinës pret sot duelin Malisheva-Vllaznia, sfida e kthimit e vlefshme për turin e parë të UEFA Conference League.

Sfida në fjalë, e cila nis në orën 16:30, përcakton skuadrën që ecen më tej në Kupat e Europës, kur me fitoren 2-1 të ndeshjes së parë një javë më herët në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës më afër shfaqet Vllaznia.
Kuqeblutë e drejtuar nga tekniku Edi Martini kanë udhëtuar që dje drejt Prishtinës dhe po dje, pasdite, në orën zyrtare që do të luhet ndeshja, kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore anti-Malisheve.
Në kampin shkodran ka optimizëm për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë të dytë duke pasur objektiv kualifikimin në turin e dytë, që nëse do të ndoshë, kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Skocisë për sfidën e radhës.
Megjithatë, edhe në kampin e Malisheves ka një objektiv të tillë, gjë që e ka deklaruar edhe vetë ish trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç, që sot drejton Malisheven.
Për t’u theksuar është se drejt Prishtinës kanë udhëtuar një numër i madh tifozësh shkodranë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, Vllaznia, që kërkon kualifikimin në turin e dytë të UEFA Conference League.


