Java e dytë e Abisnet Superiore sjell këtë të shtunë dy përballje interesante të cilat do të zhvillohen në orën 18:30.
Në qendër të vëmendjes do të jenë sfidat Elbasani-Vllaznia dhe Partizani-Laçi, dy takime që pritet të prodhojnë rivalitet dhe emocione.
Në “Elbasan Arena”, skuadra vendase do të përballet me Vllazninë, ku verdheblutë do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për të mar pikët e plota, ndërsa shkodranët do të udhëtojnë drejt Elbasanit me synimin për të lënë pas çdo pengesë dhe për të marrë një rezultat sa më pozitiv.
Të kuqtë do të luajnë në “Arena Egnatia” të Rrogozhinës për shkak të punimeve që vazhdojnë në “Arena e Demave” duke pritur Laçin në një duel ku të dyja skuadrat do të kërkojnë të bëjnë një hap përpara në renditje.
Pas rezultateve të javës së parë kjo javë pritet të sjellë më shumë qartësi për formën e skuadrave dhe ambiciet e tyre në kampionat.
Dy ndeshjet e sotme premtojnë rivalitet,intensitet dhe një tjetër pasdite të mbushur me emocione.
Fatos LAMAJ


