Kukësi ka marr një fitore 2-0 ndaj Besës në një ndeshje ku goli i Alison në pjesën e parë dhe penalltia e kthyer në gol nga i njëjti futbollist minutën e 80-të i dhanë tri pikët skuadrës verilindore.
Sulmuesi Alison ishte protagonisti kryesor i takimit duke realizuar të dy golat e fitores.
Ndeshja, e vlefshme për javën e gjashtë të Kategorisë së Parë, nisi me të dyja skuadrat që kërkuan të gjenin hapësirat për të rrezikuar portën kundërshtare. Kukësi u përpoq të merrte iniciativën në lojë ndërsa Besa kërkoi të shfrytëzonte mundësitë e saj në sulm.
Kavajasit provuan të rrezikonin me futbollistët Ruzgis dhe Zekolli,të cilët tentuan në dy raste por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.
Nga ana tjetër për Kukësin u shfaqën rrezikshëm Bespalla dhe Alison të cilët provuan të shënonin.
Goli që zhbllokoi takimin do të vinte në minutën e 37-të ku pas një aksioni këmbëngulës në hyrje të zonës së Besës mbrojtja mike nuk arriti të largonte siç duhet rrezikun dhe Alison përfitoi për të dërguar topin në rrjetë duke kaluar Kukësin në avantazh 1-0.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë me verilindorët që shkuan në dhomat e zhveshjes në avantazh minimal.
Pjesa e dytë
Pjesa e dytë e gjen Besën më kërkuese në sulm me Fatmir Prengaj që provon në disa raste për të gjetur golin e barazimit por pa arritur qëllimin.
Kukësi kundërpërgjigjet me Bespallën i cili provon me një goditje në kuadrat por portieri Abdullahu është në lartësinë e duhur dhe ndal tentativën e sulmuesit verilindor.
Të dyja skuadrat përpiqen të krijojnë rrezik përmes krosimeve nga krahët por mungon saktësia në momentin e fundit dhe asnjëra nuk arrin të gjejë hapësirën e duhur për të goditur rrezikshëm portën.
Goli i dytë për Kukësin do të vinte në minutën e 80-të nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas një aksioni nga krahu i majtë i sulmit Demircani merr topin në hyrje të zonës dhe futet brenda saj ku në përpjekje për të pasuar pengohet nga Abdulai duke bërë që kryesori Bacaj të akordoj 11-metërsh.
Përgjegjësinë e ekzekutimit e merr Alison i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë duke shënuar golin e dytë personal dhe të dytin për Kukësin në këtë takim.
Në minutat shtesë Besa përpiqet të gjejë të paktën golin e nderit me anë të Danaj dhe Ruzgis provojnë me goditjet e tyre por topi nuk përfundon në kuadrat.
Pas vërshëllimës përfundimtare Kukësi feston fitoren 2-0 ndaj Besës teksa Alison ishte protagonisti kryesor i takimit me dopietën e tij ndërsa kavajasit nuk arritën të shfrytëzonin rastet për të ndryshuar rezultatin.
Fatos LAMAJ


