45 minutat e para të ndeshjes Egnatia-Vllaznia, takim që po luhet që prej orës 18:30 në stadiumin e Rrogozhinës, “Arena Egnatia” janë mbyllur me rezultatin 2 me 0 në favor të skuadrës vendase, Egnatia.
Ndeshja nis në mënyrën më të keqe për Vllazninë, kur në minutën e nëntë, pas një faulli të shkaktuar në zonën kuqeblu, me Gurishtën që ngre këmbën në kokën e sulmuesit të Egnatias Adjesa, veprim që për arbitrin Olsid Ferataj është penallti. Edhe pse sistemi VAR vonohet në verifikimin e pamjeve, Ferataj bën me shenjë tek pika e bardhë e penalltisë, aty Alessandro Albanese tregohet i saktë në ekzekutim duke kaluar vendasit në avantazh. Minuta e 9-të, Egnatia-Vllaznia 1-0.
Për hirë të së vertetes, Vllaznia reagoi pas pësimit të golit, dhe sulmet e saj në portën rrogozhinave ishin të njëpasnjëshëm, me raste ideale goli nga kapiteni Balaj, Murataj, Qato, etj, të cilët nuk arrijnë të çojnë topin në rrjetë.
Nga ana tjetër, edhe pse Vllaznia po luante më mirë, përvoja dhe kualitetet e Egnatias nxjerrin në dritë golin e dytë të shënuar në minutan e 41-të me autor Daniel Adjessa, i cili pas një krosi të përpiktë nga fundorja e djathtë godet saktë më kokë duke e dërguar topin në rrjetën e portjerit Jukaj të Vllaznisë. Egnatia 2 dhe Vllaznia 0. Rezultat ky që mbyll pjesën parë të kësaj sfide, për t’i lënë më pas vendin 45 minutave të dyta, të cilat priten me interes, nëse Vllaznia do të arrijë të shkurtojë diferencen e disavantazhit, apo Egnatia do ta mbaj në fuqi avantazhin, apo do ta thellojë më tej.


