Për hirë të së vertetes, pak, për të thënë ndoshta aspak, kishte ndodhur më herët që një trajner i Vllaznisë të preferonte të pijë një kafe me gazetarët sportiv shkodranë.
Dhe, këtë e ka bërë, mbrëmjen e së enjtes trajneri hungarez i Vllaznisë, Csaba Laszlo. Një trajner, i cili që në momentet e para të mbërritjes në Shkodër, është përpjekur të tregohet i kujdesshëm në raport me mediat. E ka shfaqur këtë që në konferencën e parë të shtypit si trajner kuqeblu, jo vetëm në minutat zyrtare të konferencës, por edhe para dhe pas saj, komunikimi me përfaqësuesit e medias ka qënë shumë i ngrohtë dhe miqësor.
Një “armë” kjo që ai duket se e njeh mirë edhe për faktin se në cilësinë e specialistit të mirëfilltë futbollit, për rreth tre vite ka shërbyer si analist në studiot televizive hungareze duke e bërë më të afërt me gazetarët.
Përreth 60-të minutat e kohës së qëndrimit në një nga lokalet e pedonales së qytetit të Shkodrës, Laszlo, i cili shoqërohej nga drejtori sportiv i KF Vllaznia, Alban Hasani, shkëmbeu biseda të ngrohta me gazetarët, ku natyrshëm, përqëndrimi ishte aty, rreth kampit kuqeblu. Por, pa munguar kurrësesi, edhe kujtime dhe nostalgji nga karriera e tij sportive, përfshirë edhe takimet e luajtura ndaj Tiranës për Kupat e Europës.
Ndonëse nuk ka shumë që është instaluar në qytetin verior, në atë pak kohë të pakët që i mbetet jashtë angazhimit me skuadrën, Laszlo, thotë se ka filluar të shijojë edhe Shkodrën, për të cilin flet me superlativa për gjithçka natyra i ka dhënë këtij qyteti. Dhe, dëshira e tij është të lërë një kujtim të mirë në këtë qytet, për klubin, tifozët e zjarrtë dhe gjithë opinionin sportiv duke e ngritur Vllazninë në nivelet e duhura, siç ka edhe traditën e saj.
Gaspër MARKU


