1 me 1 ka përfunduar miqësorja ndërkombëtare e futbollit të femrave, Vllaznia-Mitrovica, takim ky i luajtur mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një ballafaqim mes dy skuadrave kampione në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat pas pak ditësh do të luajnë ndeshjet zyrtare të Ligës së Kampioneve të Europës. Pas ndeshjes, presidenti kuqeblu, Lazër Matija, shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, ndërkohë që beson se skuadra që ai financon prej vitesh do të kualifikohet.
Zoti Matija, barazimi 1 me 1 ndaj Mitrovicës në “Loro Boriçi”, mendoni se ishte i drejtë për të dy ekipet?
Gjëja më me pak interes në këtë ndeshje ishte rezultati. Periudha ku gjendemi aktualisht në prag të ndeshjeve të Ligës së Kampioneve duke hasur vështirësi në gjetjen e kundërshtarëve për ndeshje miqësore, kjo përballje me Mitrovicen ishte në kohën e duhur për të na shërbyer ne lidhur me sfidën që kemi në Poloni me datë 20 gusht. Nuk kishte qëllim rezultati, por qëllimi kryesor ishte provimi i disa lojtareve të reja që kemi marrë ditët e fundit në role dhe pozicione të ndryshme si dhe konsilidimi i ekipet në fushën e lojës përballë një ekipi që luan edhe ai në Ligën e Kampioneve të Europës. Gjithësesi, mendoj se loja ishte cilësore për të dy ekipet, sidomos pjesa e parë që pati momente shumë të bukura. Ekipi jonë prodhoi lojë dhe për këtë jemi të kënaqur duke qënë të bindur se diçka e mirë është bërë tek ky ekip, sidomos në afrimin e lojtareve të reja që plotësuan disa pika të nevojshme të formacionit.
Pra, pikërisht, për blerjet e reja, mbetet i kënaqur?
Kryesisht po. Mendoj që portjerja është një kualitet mjaft të mirë, po ashtu edhe qëndërmbrojtësja Brooklyn Ada Tidder e cila ka ardhë në momentet e fundit, pasi patëm një dëmtim në këtë repart me lojtaren tonë kryesore Arbiona Bajraktarin. Paraqitje të mirë bënë edhe futbollistet e tjera që u bënë pjesë e Vllaznisë në periudhën e fundit, të cilat kanë fitu besimin e stafit. Kështu që mendoj se blerjet e reja kanë cilësinë e duhur për t’i shërbyer ekipit tonë.
Është ky testimi i fundit përpara sfidës europiane të datës 20 gusht, apo do të ketë edhe ndonjë miqësore tjetër?
Është vështirë të sigurosh miqësore të tjera sepse kampionati i femrave në Shqipëri fillon në fund të shtatorit dhe ekipet nuk janë akoma të organizuara duke munguar kualiteti. Mirë do të ishte edhe një miqësore tjetër, por gjithësesi do të jenë lojrat brenda grupit që do ta lujnë këtë rol.
Me atë çfar patë sot në fushën e lojës, mendoni se Vllaznia do ta kalojë turin?
Qëllimi i jonë ky është që të formatojmë ekipin dhe patjetër që pretendojmë për të kalur turin. Realisht është e vështirë, sepse që të dy ekipet, si ai hungarez dhe polak, me njërin prej të cilëve do të ndeshemi janë ekipe me kualitet, por përbërja e ekipit tonë si dhe përvoja në vite na jep shpresim dhe besim se do ta kalojmë turin dhe realisht këtë objektiv kemi.