Ada e Velipojës në sezonin e ri futbollistik do të drejtohet nga trajneri Zamir Lumanaj. Lajmin e bën të ditur presidenti velipojak, Alfred Pjetri, i cili shprehet i kënaqur me zgjedhjen e re të pankinës së skuadrës që ai financon. Ndërkohë, në të njëjtën kohë, Pjetri falenderon paraardhësin e Lumanajt, ish trajnerin Admir Mehja, i cili sezonin e kaluar punoi me përkushtim në kye të Adës duke arritur rezultate të kënaqshme.
Lumanaj është një emër i njohur i futbollit shkodran, i cili krahas Vllaznisë ka luajtur edhe me Adën e Velipojës duke qënë edhe kapiten i kësaj skuadre, ndërkohë që më pas ka kryer edhe detyrën e trajnerit të kësaj skuadre.
Nga sa bëhet e ditur, prezantimi i trajnerit të ri Zamir Lumanaj me skuadrën velipojake do të bëhet ditën e hënë, ditë kur është caktuar nga presidenca për fillimin e proçesit stervitor të pragsezonit 2021-2022.
Një ditë më parë është hedhur edhe shorti për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë, ku Ada bën pjesë në Grupin A së bashku me Veleçikun e Koplikut dhe KF Murlanin, si dhe Ilirinë, Shënkollin, FC Internacional, FK Elbasani, KF Klosi, KF Gramshi, Luzi 2008, Oriku dhe FC Bulqiza.
Ndeshjen e parë të kampionatit, Ada e Velipojës do ta luajë në shtëpi me datë 19 shtator, ora 16.00 përballë Futboll Klub Elbasanit, ndërkohë që menjëherë në javën e dytë, me datë 26 shtator luhet derbi shkodran, KF Murlani-Ada .