Ndryshime në stafin tek të Veleçikut të Koplikut. Skuadra që përfaqëson zonën e Malësisë së Madhe do të drejtohet në sezonin e ri futbollistik nga trajneri Haris Lika duke zëvendësuar kësisoj Ardi Rrustemaj, i cili ishte në krye të Veleçikut gjatë sezonit të kaluar.
Një gjë e tillë është vendosur pasditen e sotme gjatë një takimi të zhvilluar në Bashkinë Koplik me titullarin e këtij institucioni, Tonin Marinaj, i cili si financuesi kryesor i këtij klubi mban edhe postin e presidentit të Veleçikut. Në praninë edhe të drejtorit teknik, Nuri Rexhaj, koplikasit i kanë kërkuar Haris Likës të marrë drejtimin e Veleçikut për sezonin e ri futbollistik, gjë që është pranuar me kënaqësi nga ana e këtij të fundit.
Haris Lika është një emër i njohur i futbollit shkodran, ku së bashku me të vëllanë e tij, Gilman Lika kanë luajtur për Vllazninë, por edhe për skuadra të tjera të futbollit shqiptar. Për Haris Likën, detyra e trajnerit nuk është e panjohur, pasi e ushtron prej disa vitesh. Fillimisht ka drejtuar ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia dhe më pas edhe të Akademisë AAS. Përvoja me këto klube, por edhe liçencimi me kategorinë më të lartë të shkallës së trajnerit të futbollit, atë UEFA Pro, bëri që ofertat ndaj tij si trajner të vinin edhe nga jashtë Shkjodre, siç ishte rasti i Akademisë së Shënkollit ku drejtoi me shumë sukses ekipin U-19, pretendent kryesor për fitimin e trofeut deri në javën e fundit të kampionatit.
Të gjitha këto kanë nxitur kryebashkiakun koplikas, Tonin Marinaj t’i besoj Haris Likës detyrën e trajnerit të ekipit të parë të Veleçikut. Një detyrë kjo aspak e lehtë, kur kemi parasysh se sezonin e kaluar Veleçiku zbriti nga kategoria e parë në të dytën dhe trajnerit Lika i kërkohet të punojë fort për të rikthyer koplikasit sërishmi në familjen e madhe të kategorisë së parë, aty ku kanë konkuruar sistematikisht prej shumë vitesh.