Thursday, November 28, 2024

Kuqezinjtë Bajrami dhe Broja shkëlqejnë në ekipet e tyre të kampionateve italiane dhe angleze

Lexo

Futbollistët e kombëtares tonë vazhdojnë të bëjnë paraqitje tejet të mira në klubet ku ato luajnë. Paraqitje këto që i rrisin ato si futbollistë në prizmin individual, por ndërkohë formohen edhe më tepër për t’i shërbyer skuadrës përfaqësuese. Kështu ka ndodhur edhe këtë javë me Nedim Bajramin dhe Armando Brojën, të cilët kanë qënë ndër më të mirët e javës për ekipet e tyre.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami po kalon një formë fantastike në karrierë. Bajrami, i cili debutoi me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Hungarisë dhe luajti 45 minuta kundër San Marinos, është rikthyer të luajë me klubin e tij në Itali. Bajrami që aktivizohet në radhët e Empolit ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë mbrëmjen e kaluar, në sfidën ndaj Venecias, duke qenë protagonist absolut me skuadrën e tij. Ai arriti të shënojë të vetmin gol për Empolin në minutën e 89-të, ku u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke shkurtuar shifrat në 1-2. Goli i mesfushorit të Shqipërisë nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e rezultatit të ndeshjes për Empolin, që u mund në shtëpi 1-2. Sipas uebsajtit të specializuar për statistikat, SofaScore, shqiptari u shpall lojtari më i mirë në radhët e Empolit, duke u vlerësuar me notën 7.4.

Ndërkohë, sa i përket Armando Brojës, djaloshit nga Malësia e Madhe që vetëm pak ditë më parë mbushi 20 vjeç i kanë mjaftuar 15 minutat e aktivizimit në fundin e takimit për të treguar vlerat e tij. Broja u bë pjesë e formacionit të Sauthemton të Premier Ligës angleze në minutën e 75-të të ndeshjes ndaj Uest Hem dhe që në momentin e parë që iu shfaq, ai ndërtoi një aksion spektakolar me një sprint të shkëlqyer në krahun e djathtë, me pasimin që nuk u shfrytëzua nga shokët e skuadrës. Më pas, Broja vendosi të bënte gjithçka vetë, duke marrë topin në mesfushën e tij dhe pasi iu shmang mbrojtësit që po përpiqej ta ndalte, lëshoi një gjuajtje të pakapshme për portierin Fabianski. Për fatin e keq të sulmuesit shqiptar, takimi me golin e parë në Premier Ligë u ndal nga shtylla pingule, me të gjithë stadiumin në këmbë që gjithsesi duartrokiti talentin e lojtarit shqiptar. Më pas ka sërishmi spektakël nga Broja, kur në minutën e parë shtesë të ndeshjes, iu afrua përsëri golit, këtë herë me një goditje me kokë pas një goditje nga këndi. Topi mposhti portierin dhe po i drejtohej rrjetës, por Deklan Rajs e devijoi mbi vijën fatale para se topi ta kalonte plotësisht, duke i mohuar sulmuesit shqiptar gëzimin e golit.
- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img