Me një luftë të fortë sportive, madje edhe me tension, siç ishte ajo e Tiranës, janë përcjellë ndeshjet e pasditës së sotme të vlefshme për javën e 32-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Abisnet Superiore.
Tirana-Teuta 1-1(Limaj 40′ / Plaku 73′)
Ndër to, ajo që përpos golave ka prodhuar edhe kartona të verdhë dhe të kuq, ka qënë ndeshja e luajtur në “Selman Stërmasi” në mes Tiranës dhe Teutës. Sidomos mbyllja e ndeshjes, e cila përfundoi në barazim 1 me 1, është shoqëruar me një situatë acaruse dhe tensionimi në radhët e kampit bardheblu, çka realisht nuk ishte parë prej kohësh tek kjo skuadër. Një reagim i futbollistëve në fushën e lojës, por edhe i stafit teknik ndaj gjyqtarit Alla, mesa duket të pakënaqur nga një karton i kuq i dhënë në dëm të sulmuesit bardheblu Xhixha, në fundin e takimit. Por, përpos këtyre, ajo që acaroi situatën në kampin bardhu ishte se barazimi me Teutën, prishi festën e parapërgatitur nga klubi dhe tifozët, të cilët në rast fitorejeve shpalleshin kampionë. Të parët shënuan tiranasit me anë të Limajt në minutën e 40-të, ndërkohë që durrsakët barazuan në pjesën e dytë me anë të Plakut në minutën e 73-të.
Egnatia-Laçi 0-2 (Guindo 56′, 87’)
Në Rrogozhinë, tifozëria vendase e mësuar me rezultatet pozitive të skuadrës së tyre gjatë pjesës së dytë të kamopionatit, priste që edhe ndaj Laçit të merrte pikët e duhura të qetësisë së mbijetesës në Superiore. Por, këtë kënaqësi nuk ia dha Laçi, i cili me dopietën e Guindos, përkatësisht në minutat 56’ dhe 87’ largohet me tre pikë nga “Arena Egnatia”. Fitore që në varësi të diferencës me Tiranë kryesuese, Laçi i vendit të dytë vazhdon të mbajë të ngrirë bardheblutë duke mos i dhënë mundësinë të shijojnë titullit në mënyrë matematikore. Ndërkohë, që humbja në shtëpi për Egnatian rikthen përsëri ethet e rrezikut të rënies nga Superioreja.
Skënderbeu-Kastrioti 2-0(Mensah 20’ Pusi 81’)
Në Korçë, vjen më së fundimi fitorja munguar prej një periudhe shumë të gjatë. Saktësisht, kjo fitore që erdhi sot mungonte që prej dhjetorit të vitit 2021 që për koinçidencë edhe atëherë u pat fituar po kundër krutanëve në stadiumin “Skënderbeu”. Për skuadrën e drejtuar nga Skënder Gega kanë menduar Mensah si dhe shkodrani Beljadi Pusi, të cilët shënuan nga një gol në secilen pjesë, përkatësisht 20’ dhe 81’. Korçarët e nisën mirë takimin, të cilët shënuan që në minutën e 20’ të takimit dhe më pas e menaxhuan lojën deri në fund të pjesës së parë. Një fitore më tepër morali kjo për Skënderbeun e drejtuar nga Skënder Gega, sepse mbijetesa duket e pamundur. Nga ana tjetër, krutanët e drejtuar nga Emiliano Çela, ndalen pas një seri rezultatesh shumë pozitive, që nga një skuadër thuajse e pashpresë në mbyllje të dy fazave të para u ngrit deri në nivelin e një pretendente për zonën Europiane.
Java e 32-të e Abissnet Superiore mbyllet të enjten me ndeshjen, Dinamo-Vllaznia, që do të luhet në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 16:45.