Sunday, November 24, 2024

“Abissnet Superiore” e Koço Kokëdhimës, sponsor për për 3 sezonet e ardhshme të futbollit shqiptar

Lexo

Kompania e internetit Abissnet me administrator biznesmenin Koço Kokëdhima, njëkohësisht edhe president i KF Apolonia do të jetë sponsor i Kampionantit Kombëtar të Kategorisë Superiore për tre sezonet në vazhdim. Një gjë e tillë u vendos pas marrëveshjes së realizuar sot  në ambientet e stadiumit “Air Albania” mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kompanisë Abissnet, kompani kjo që u shpall fituese më 3 qershor, pas ankandit për shitjen e emrit të këtij kampionati, pasi paraqiti ofertën më të mirë.

Duke nisur nga ky edicion e në tre vitet e ardhshme, përkatësisht, 2021-2022, 2022-2023, 2023-2024, ky kompeticion nuk do të quhet më Kategoria Superiore, por “Abissnet Superiore”. Kjo marrëveshje e rëndësishme, e lidhur mes institucionit të vetëm të futbollit në vend dhe kompanisë së internetit ka si qëllim të sigurojë të ardhura shtesë për klubet e futbollit dhe që është bërë në shembullin e kampionateve më të mira europiane.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i kompanisë “Abissnet”, Koço Kokëdhima, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore si dhe përfaqësues nga media.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Presidenti Duka i uroi suksese kompanisë Abissnet në këtë rrugëtim të ri. “Sot në këtë event firmoset një marrëveshje e rëndësishme për Kategorinë Superiore Shqiptare që nga sot do të quhet Abissnet Superiore. Ky është rezultat i vetë Ligës Profesioniste, që dha frytet e para pas krijimit të Ligës, arritjen e kësaj marrëveshje, me një nga kompanitë më të rëndësishme të shpërndarjes së internetit në Shqipëri, Abissnet. Uroj dhe jam i bindur që do t’i sjellë fat më shumë kampionatit shqiptar, jo thjesht për paratë që do të vijnë, por të ketë këmbën e mbarë për të pasur sa më shumë sponsor për kampionatin e Kategorisë Superiore. Kjo përkon edhe me hapjen e sezonit të ri futbollistik, që nis sot, me ndeshjen e parë ceremonial Teuta-Partizani në Elbasan Arena, për të vazhduar edhe me 4 ndeshjet e tjera dhe me këtë rast, unë uroj një fillim të mbarë të këtij edicioni. Uroj biznes sa më të mirë edhe kompanisë Abissnet, që të ketë mundësi ta mbështesë sa më shumë Kategorinë Superiore në Shqipëri. Edhe njëherë, falenderoj presidentin e Abissnet, Koço Kokëdhima, për vëmendjen karshi futbollit dhe Edvin Libohovën që ka arritur deri në finalizimin e marrëveshjes”.

Edhe Presidenti i Abissnet, Koço Kokëdhima, në fjalën e tij u shpreh se morën këtë vendim për t’u futur në ankand për të blerë emrin e Kategorisë Superiore, pasi kompania ka vlerësuar punën e vazhdueshme të klubeve të futbollit dhe rritjen e këtij kampionati. “Falënderoj Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për të gjithë kontributin e tij në zhvillimin e futbollit shqiptar në përgjithësi dhe për zhvillimin e futbollit të Kategorisë Superiore në veçanti. Ky zhvillim ka bërë që të perceptohet në mënyrë të qartë një vlerë tregu për emrin e kompeticionit të Kategorisë Superiore. Abissnet ka konstatuar dhe ka vlerësuar se emri dhe niveli i futbollit të Kategorisë Superiore në Shqipëri është rritur falë përpjekjeve shumë të mëdha dhe kontributit të posaçëm të presidentëve të këtij kampionati, nën drejtimin dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sot kemi një kompeticion ku promovohen shumë lojtarë shqiptarë në nivele të larta të futbollit, ku iu mundësohen përfitime të rëndësishme. Puna e vazhdueshme e klubeve të Kategorisë Superiore dhe e FSHF-së e ka bërë këtë kampionat tashmë tërësisht të pastër, të besueshëm dhe për këtë shkak ne kemi vendosur të bëjmë këtë bashkëpunim, të përdorim emrin e kompanisë sonë, Abissnet në këtë kompeticion, duke i dhënë emrin që do të mbajë për tre vite, Abissnet Superiore. Ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të shkojnë në stadiume dhe të ndihmojnë klubet e tyre, pasi nuk janë fitimprurëse. Ashtu sikurse ftoj edhe të gjitha kompanitë e Shqipërisë që kanë mundësi dhe vetëdije të lartë publike, të bëhen donatorë dhe sponsorë të klubeve të Kategorisë Superiore në veçanti dhe futbollit në përgjithësi, për t’i dhënë një mbështetje më të madhe futbollit të Shqipërisë”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img