Vllaznia ka lënë pas fitoren shumë të rëndësishme të realizuar në transfertë të shtunën e kaluar me Kukësin, falë atij goli spektakël shënuar nga Ersin Hakaj, dhe tashmë është tërësisht e përqëndruar tek ndeshja e radhës.
Njëri prej çifteve të javës së 12-të të kategorisë Abissnet Superiore, është ai Vllaznia-Tirana. Një supersidë kjo, që në fakt, siç është bërë me dije edhe më herët, sipas kalendarit të FSHF-së, duhej të zhvillohej në stadiumin “Loro Boriçi”, por duke qënë se në tapetin e barit të këtij stadiumi po bëhet proçesi i rimbjelljes së barit në mënyrë që fusha të jetë gati për ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Europës në futboll femra, me mirëkuptim të të dy klubeve, është vendosur që ajo të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Një zhvendosje e tillë ka brenda mirëkuptimin që kjo ndeshje t’i llogaritet Tiranës si ndeshje brenda, në mënyrë që në dy fazat e tjera, të tretën dhe të katërtën, takimet me bardheblutë, Vllaznia ti luajë në fushën e saj të stadiumit “Loro Boriçi”. Një gjë e tillë tashmë është zyrtare, madje tashmë është miratuar edhe dita dhe orari, të shtunën ora 13:00. Kjo do të jetë edhe ndeshja e vetme e kategorisë së Superiore që do të luhet ditën e shtunë, ndërkohë që ditën e diele në program janë tre ndeshje, të cilat që të tria do të luhen në orën 13:00.
Kalendari është ky: Partizani-Bylis, ndeshje kjo që për herë të parë në një ndeshje Superiore do të luhet në stadiumin e ri të klubit Partizani, për të vijuar me Kastrioti-Kukësi që luhet në stadiumin e Kamzës dhe Egnatia-Laçi në stadiumin e Rrogozhinës. Çifti i fundit i javës së 12-të të kategorisë Superiore, Teuta-Erzeni, luhet të hënën e ardhshme në stadiumin e Rrogozhinës për shkak se fusha e stadiumit “Niko Dovana” është në punime e sipër.