Wednesday, April 24, 2024

Superliga e volejbollit të meshkujve-Vllaznia mund Teutën në transfertë 0-3, kapiteni Qafarena, lojtari më i mirë i ndeshjes

Lexo

Teuta-Vllaznia 0-3 (20-25, 20-25, 18-25).

Teuta: Noto, Bushpepa, Malaj, Xhebrahimi, Metani, Rama, Domi, Duka, Sheldija, Çuçi, Qorollari. Trajner: Mirion Vllamasi

Vllaznia: Nikolin Qafarena, Esmirald Peraj, Mario Lugaj, Endri Jukni, Visar Lleshi, Gentjan Curraj, Ardit Taflaj, Gilman Talani, Gersi Jula. Trajner: Artan Kalaja, Ermal Kraja

Gjyqtarë: R. Mujo, E. Kuri

Kampionati Kombëtar i Superligës në Volejboll për meshkuj mbylli ndeshjet e javës së gjashtë. Ekipi i Vllaznisë që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja ishte mysafir këtë javë në qytetin e Durrësit duke u ndeshur me Teutën vendase.

Pas fitores realizuar javën e kaluar në “Qazim Dervishi” ku mundi me rezultatin 3-0 Elbasanin, skuadra kuqeblu ka vijuar me një fitore tjetër fitore tre pikëshe. Këtë radhë, fitorja erdhi në transfertë duke sfiduar brenda në fushën e saj skuadrën bregdetare, Teuta me rezultatin 0-3.

Pozitive për Vllazninë në ndeshje ishte prania në formacion e kapitenit Nikolin Qafarena, i cili ditët ve fundit ka kaluar një dëmtim serioz që e ka lënë jashtë fushës së lojës. Jo vetem që është rikthyer në fushën e lojës, por Qafarena është cilësuar si lojtari më i mirë i ndeshjes duke realizuar plot 19 pikë për ngjyrat e skuadrës kuqeblu.

Sfida e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Duurësit u dominua tërësisht nga Vllaznia. Dy setet e parë janë mbyllur me të njëjtin rezultat, 20-25 në favor të Vllaznisë. Edhe seti i tretë ka qënë pronë e Vllaznisë, por me një diferencë më të madhe , 18-25, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e Vllaznisë me rezultatin, 0-3.

Në ndeshjet e tjera, Partizani mundi Skënderbun me rezultatin 3-0. Me të njëjtin rezultat, 3-0, fitoi edhe Tirana ndaj Studentit, ndërkohë që fitore arriti edhe Erzeni, që mundi Elbasanin me rezultatit 3-0 (25- 17, 25-20, 25-18) në takimin e luajtur në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.

Pas javës së gjashtë, Superligën e volejbollit për meshkuj e kryeson Partizani me 18 pikë, e ndjekur nga Tirana dhe Erzeni me 15 dhe 14 pikë, Skënderbu i katërti me 10-të pikë. Vllaznia renditet e pesta me 9 pikë duke lënë pas Studentin dhe Teutën, përkatësisht me 4 dhe 2 pikë, si dhe Elbasanin që mbyllë tabelën e klasifikimit me 0 pikë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img