E nisur ditën e djeshme me tre sfidat e para: Egnatia-Laçi 0-0, Vllaznia-Teuta 2-1 dhe Dinamo-Partizani 2-1, java e 23-të e Abissnet Superiore vijon sot edhe me dy përballjet e fundit: Tirana-Erzeni dhe Skënderbeu-Kukësi.
Që të dyja ndeshjet nisin në orën 17:00, dhe janë shumë të rëndësishme për të katër ekipet përkatëse. Tirana pret Erzenin në “Air Albania” në një duel shumë të rëndësishëm për klasifikimin e bardhebluve që synojnë padyshim të jenë pjesë e “Final Four”.
Bardheblutë kanë mundësi që të ngushtojnë diferencën me vendin e dytë në rast fitoreje dhe të vendosin edhe më shumë nën trysni Partizanin para derbit. Por përballë është Erzeni i cili sapo ka ndërruar trajner, duke sjellë në stol Skerdi Bejzaden dhe dëshira do të jetë për të bërë mirë përballë bardhbluve më të cilët kanë pasur rezultate mëse pozitive në takimet e mëparshme.
Edhe për korçarët, ndeshja e sotme përballë kuksianëve pritet me shumë interes, me vendasit që përpos një garacie mbijetese mendojnë edhe për një vend në katërshen më të mirë. Ndërsa Kukësi nuk ka alternativë tjetër veç tre pikëve për t’iu larguar vendit të fundit ku ka rrëshqitur. Për trajnerin Emiliano Çela, që zëvendësoi Stavri Nicën e larguar, kjo është ndeshja e dytë në krye të verilindorëve.