Superiorja ditën e djeshme hapi siparin e javës së 20-të të saj, teksa zhvilloi dy takime mjaft të rëndësishme. Egnatia fitoi ndaj Kukësit,ndërsa u ndalën në barazim Teuta dhe Tirana. Sot është radha e 6 ekipeve të tjera për të kërkuar fitoren në fushën e lojës.
Gjithçka do të nisë me duelin mes Erzenit dhe Vllaznisë që do të luhet në “Egnatia Arena” në orën 13:30. Shijakasit pas barazimit me Laçin tentojnë dhe kërkojnë fitoren për t’ju larguar sa më shumë zonës së ftohtë, ndërsa përballë do të kenë skuadrën e momentit në Superiore. Shkodranët prej 4 javësh kanë arritur të korrin vetëm fitore dhe ndaj shijakasve synojnë një tjetër 3 pikësh që do t’i mbante në “Final-Four”.
Në orën 17:00 do të luhen dy takime paralelisht në Tiranë dhe Korçë. Në “Arenën e Demave” do të sfidohen mes tyre Partizani dhe Laçi. Demat nuk duan hapa fals në shtëpi dhe ndaj kurbinasve do të luftojnë për një tjetër 3 pikësh,ndërkohë skuadra e Mirel Josës synon që të rikthehet te fitorja pikërisht në kryeqytet ndaj demave.
Ndërsa në Korçë, Skënderbeu pret Dinamon. Korçarët prej 4 javësh nuk e njohin fitoren dhe synojnë që para tifozëve të tyre të shkelmojnë krizën,ndërkohë Dinamo pas humbjes “dramatike” me Tiranën kërkon të bëjë “autokritikë” ndaj korçarëve.
Fatos LAMAJ