E nisur dje me dy takimet e para, me dy barazime të regjistruara në Ballsh dhe Durrës, Bylis-Teuta 2-2 dhe Erzeni-Kastrioti 0-0, java e 29-të e kategorisë Superiore vijon sot me tre çiftet e tjera, Kukësi-Vllaznia, Laçi-Partizani dhe Tirana-Egnatia.
Sipas kalendarit të sektorit të garave në FSHF, dy përballjet e para, Kukësi-Vllaznia, Laçi-Partizani, luhen në orën 15:00, ndërsa çifti tjetër, Tirana-Egnatia, që është edhe i fundit për këtë javë, do të luhet në 18:00.
Dueli që ka marrë më shumë vemendje, jo vetëm për dy tifozëritë përkatëse, kuksiane dhe shkodrane, por edhe më tej, është ai që do të luhet në stadiumin “Kukës Arena”. Përballje kjo mes dy skuadrave që luftojnë për pozicione të kundërta, verilindorët për mbijetese dhe kuqeblutë për zonën Europiane, por pse edhe më tej për titullin, nëse gjërat në këto javë shojnë si duhet.
Kurbinasit, që tashmë drejtohen nga trajneri i ri, por me njohje të vjetër, Stavri Nica, pas fitores së javës së kaluar me Teutën në transfertë do të kërkojnë të njëjtën gjë edhe sot, por përballë do të kenë një Partizan që do të kërkojë 3 pikë pas barazimit me Egnatian në javën e 28-të.
Shumë e fortë pritet të jetë edhe sfida e orës 18:00, Tirana-Egnatia, me bardheblutë që janë të vendosur për të mos e lëshuar kreun dhe rrogozhinasit, që vazhdojnë të jenë mes ekipeve më të mira të kreut të renditjes.