Thursday, May 16, 2024

(Intervista) Rraman Hallaçi, kërkon kthesen sot ndaj Vllaznisë. Për teknikun verilindor, vetëm 3 pikët vlejnë në këtë ndeshje

Lexo

Tri ndeshje radhazi pa fitore dhe për më tepër asnjë pikë këtë sezon me Vllazninë, e rëndojnë disi ambientin kuksian, edhe pse për teknikun Rraman Hallaçi, statistikat nuk kanë asnjë rëndësi. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se do të luajnë për të marrë maksimumin dhe ka besim se të gjithë së bashku do t’ia dalin. Sipas tij, loja që skuadra prodhoi me Tiranën është një sinjal i fortë për ndeshjen me Vllazninë.

Tri ndeshje pa fitore, çfarë po ndodh me Kukësin?

Kemi një moment jo të mirë për sa u përket rezultateve dhe kjo sigurisht që na i ka prishur pak momentet e mira që po kalonim. Kampionati është në një fazë shumë vendimtare për ecurinë e skuadrës. Loja që skuadra prodhoi me Tiranën është një sinjal i fortë për ndeshjen me Vllazninë.

Rezultate ju kanë dërguar sërish në zonën e rrezikut, si do të dilni?

Në këto pozita kemi kohë që jemi. E kemi thënë që deri në fund nuk ka qetësi, pasi rivaliteti është shumë i ashpër. Ne jemi të përqendruar te çdo përballje, skuadra më përgjigjet si në ndeshje dhe stërvitje. Me Tiranën duhet të fitonim për atë çfarë dhamë në fushë. Lojtarët respektojnë njëri-tjetrin, harmonia është plus dhe disiplina është korrekte. Kam shumë besim që do të rikthehemi dhe do t’ia dalim të gjithë së bashku, duke bërë një sakrificë të madhe të gjithë.

Përballë keni Vllazninë, çfarë synoni?

Me Vllazninë do ta luajmë ndeshjen me kujdes, por duke synuar fitoren dhe kjo dihet, nuk ka nevojë për diskutim. Me forcën dhe kualitetin që ka skuadra mendoj që i kemi të gjitha mundësitë për të arritur atë që na takon.

Në tri ndeshje këtë sezon i keni humbur të gjitha me shkodranët, çfarë ju bën të besoni se do të jetë ndryshe tani?

Nuk më intereson historiku, është kohë e kaluar. Kjo ndeshje është tjetër gjë, është moment ndryshe. Përgjegjësia është e madhe dhe do të dimë se si ta menaxhojmë këtë ndeshje shumë të rëndësishme për ne.

Mbrojtja po fut ujë, sepse skuadra po pëson rregullisht, si do ta riparoni këtë gjë?

Që në momentin që kam marrë skuadrën, mendoj që faza mbrojtëse ka përmirësim të dukshëm nga e gjithë skuadra. Kemi gabuar shumë individualisht në momente të rëndësishme të lojës, por edhe gabime si skuadër, që është normale në futboll. Ekipi ka bërë progres, këtë e thotë dhe publiku, sepse ata prandaj kanë filluar dhe po vijnë ta ndjekin. Diçka ka ndryshuar dhe skuadra ka prodhuar lojëra shumë të mira, por kemi hasur dhe vështirësi. Nuk jemi ende perfektë, kjo është e vërtetë dhe duhet të përmirësohemi në çdo repart.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img