Ashtu siç ishte parashikuar, kuqeblutë e Vllaznisë kanë nisur sot proçesin stërvitor. Seancë kjo e para për vitin 2023 që është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kanë nisur kështu përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit ku përqëndrimi i të gjithëve është për sfidën e mesit të muajit janar kur Vllaznia do të udhëtojë në kryeqytet për tu ndeshur me Partizanin, skuadrën kryesuese të kampionatit.
Për ditët e para të janarit, tifozëria shkodrane është në pritje të ndonjë lajmi për merkaton, ardhjen e ndonjë futbollisti cilësor që suadra ka shfaqur interes, sidomos në mbrojtje dhe sulm, ku edhe drejtuesit kanë konstatuar se ka probleme.
Por, ndërkohë që priten përformcime, nga ana tjetër, në Shkodër mbërrin një lajm tjetër, që ka të bëjë me largimin e një futbollisti titullarë, madje me shumë peshë për formacionin kuqeblu. Bëhet fjalë për Esin Hakajn, në adresë të cilët ka mbërritur një kërkesë serioze nga klubit turk Samsunspor për ta bërë të tyrin mëngjërashin shkodran. Që do të thotë, se në një farë mënyre, në radhët e kuqebluve ka realisht një alarm.
Nga sa bëhet e ditur, ka qënë vetë administratori i klubit turk, i cili ka kontaktuar direkt me Hakajn duke i shprehur dëshirën dhe kërkesën e Samsunspor që shkodrani të rikthehet në klubin e tyre.
Gjithnjë nga burimet e siguruara në mënyrë konfidenciale nga Veriu Sport, mësohet se vendimi i klubit për ndërmarrjen e kësaj lëvizje ka ardhur edhe nga insistimi i tifozërisë, të cilët prej kohësh kanë shprehur simpatinë e tyre në drejtim të futbollistit shkodran, duke e konsideruar atë të domosdoshëm për ekipin e tyre.
Për Hakajn, zhvillimet më të fundit në klubin e Samsunspor, janë pritur mirë, pse jo edhe e kanë emocionuar, sidomos për pjesën e tifozërisë, por përgjigja e tij ndaj telefonatës së administratorit të klubit turk, ka qënë ajo që ka të bëjë me kontratën që ai ka me Vllazninë.
Ndaj, në të tilla kushte, tashmë fjalën e fundit do ta thotë Presidenca, e cila, gjithnjë nëse do të pranojë kërkesën e klubit turk, sipas rregullores, kushtet e prishjes së kontratës konsistojnë me një dëmshpërblim jo të vogël financiar.
Gaspër MARKU