Vllaznia largoi dje trajnerin Elvis Plori për t’i besuar Mirel Josës në dy ndeshjet e fundit të kampionatit dhe finalen e Kupës kundër Laçit. Në lidhje me këto lëvizje, presidenti i Vllaznisë ka folur për Ora Sport.
Alban Xhaferi ka treguar se Josa është një legjendë dhe do jetë aty edhe në sezonin që vjen për një projekt afatgjatë. Mungesa e rezultateve ka bërë që Plori të mos jetë më trajner i parë, por duke vazhduar të jetë pjesë e stafit në vijim. Pas Brdaric, tani Vllaznia largon edhe Plorin për t’i besuar Josës.
“Ne e bëmë këtë lëvizje, sepse rezultatet nuk janë të duhurat. Ishte një lëvizje e sforcuar. Sigurisht që po të kishim rezultate të tjerë nuk do e bënim atë lëvizje. Rezultati do shihet në fund. Një nga arsyet e ardhjes së profesor Josës është riformatimi i ekipit për sezonin e ardhshëm.
Largimi i dy trajnerëve shkodranë? Dedja nuk është hequr, thjesht i ka mbaruar kontrata. Te pjesa e profesor Plorit, është një spostim. Kemi pasur diskutime të brendshme. Këtu bëhet fjalë për momente të vështira, momente delikate. Roli im në këtë rast është deçiziv.
Këtu bëhet fjalë edhe për një investim goxha të madh, i cili me mos arritjen e Kupave evropiane sigurisht që ka një dëmtim të jashtëzakonshëm për buxhetin që është caktuar për Vllazninë. Është një dështim në vetvete. Ne konsultohemi me njëri-tjetrin, me specialistë brenda klubit dhe jashtë tij, me dashamirës të futbollit.
Këtu bëhet fjalë për një projekt afatgjatë, sepse profesor Mireli është një legjendë. Është një trajner që ka pasur rezultate të jashtëzakonshme. Kështu që ne po përgatisim Vllazninë e sezonit tjetër. Me këtë motiv është marrë profesori”, tha Xhaferi mes të tjerash.