Një foto e publikur në rrjetet sociale nga ana e presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi, ku ai shfaqet i hipur mbi kalë, ka marrë një vemendje të madhe në opinionin sportiv shkodran e më gjërë.
Simbolika e qëndrimit mbi kalë të një presidenti që drejton një prej klubeve pretedenteve të Superiores së futbollit shqiptar, siç është Vllaznia e Shkodrës, klubi që pak ditë më parë festoi 105 vjetorin e krijimit të tij, ka një domethënie të qartë dhe të drejtpërdrejtë.
Natyrshëm, që vetë njëshi i klubit kuqeblu qëllimin e ka pasur të qartë, që përmes kësaj foto, të përcjellë mesazhin e drejtpërdrejt, se tashmë Vllaznia i është drejtuar titullit kampion, që nëse realizohet është i dhjeti në historinë e këtij klubi.
Albani, në fakt, nuk ka bërë asnjë shënim, apo status, por, përkrah fotos që i ka të gjitha brenda, janë të shumta komentet që gjithçka ia deditojnë fitimit të titullit kampion, sidomos nga ana e tifozërisë shkodrane, e cila e pret prej shumë vitesh një sukses të tillë.
Ndërkohë, për t’u theksuar është, se një koment, parashikim dhe urim, vjen edhe prej gazetarit dhe komentatorit të mirënjohur sportiv kavajas, Fatmir Efica, i njohur prej vitesh edhe për simpatinë ndaj futbollit shkodran në tërësi.
“Edhe tradita e kalërimit, në Shkodër e ka origjinën. Një president, hipur mbi kalë, për rivalët në “Final 4” të këtij fundsezoni, është gjithësesi paralajmërim, se titullin e saj të 10-të, Vllaznia do ta arrijë dhe meritojë me ju në krye, miku im Alban. Unë e besoj fort këtë.”, shkruan, komentatori kavajas, Fatmir Efica, plot dashamirësi në një prej komenteve që shoqërojnë foton e publikuar nga zoti Xhaferi.