Monday, May 6, 2024

Arbitrat-Tahir Kastrati, rizgjidhet President i BAFSH. Shkodrani, Dritan Salaj, në katërshen e Komitetit Ekzekutiv

Lexo

Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar mblodhi sot Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, ku morën pjesë të gjithë delegatët e mandatuar nga kolegjiumet e arbitrave në të gjithë vendin në prezencën edhe të përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Krahas analizës së punës gjatë periudhës së deritanishme të shoqatës së arbitrave të futbollit shqiptar, me raportin e imtë të Presidentit të BAFSH, Tahir Kastrati, u zhvillua edhe proçesi zgjedhor për mandatin e ardhshëm.

Pas ngritjes së Komisionit të Verifikimit u procedua me pikën kryesore të rendit të ditës, që ishte zgjedhja e Presidentit të BAFSH. Kandidat i vetëm për këtë post ishte Tahir Kastrati, i cili në përfundim të votimit u zgjodh sërish president edhe për një mandat tjetër, duke marrë mbështetjen unanime nga të gjithë delegatët e pranishëm në mbledhje.

Më pas u vijua me pikën tjetër të rendit të ditës, zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të BAFSH ku në garë ishin tetë kandidatë për katër vende. Pas votimit u zgjodhën katër anëtarë e rinj të KE-së të cilët janë Ervis Peza, Sokol Avdo, Dritan Salaj dhe Idriz Gashi.

Zgjedhja e Dritan Salajt, i cili mban postin e Kryetarit të Kolegjumit të Arbitrave të Futbollit Shkodër, në Komitetin Ekzekutiv të BAFSH, është një risi për qytetin verior, pasi prej rreth 30-të vitesh, Shkodra nuk ka qënë e përfaqësuar në forumet drejtuese.

Sa i takon, analizës për mandatin e mbyllur, ka qënë Presidenti aktual, Tahir Kastrati, që përmes një raporti të gjatë ka bërë bilancin e aktivitetit të arbitrave shqiptarë, në angazhimet e tyre kombëtare dhe sidomos ato ndërkombëtare. Ndërkohë që është ndalur edhe në procesin e rekrutimit të arbitrave të rinj, por edhe sfidat me të cilat është përballur komuniteti i arbitrave shqiptare.

“Shoqata i kanë dhënë përparësi punë për rekrutimin dhe edukimin e arbitrave të rinj. Ka disa vite radhazi që është organizuar dhe ka funksionuar normalisht Akademia e Arbitrimit me mbështetjen direkte të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Akademia ka afruar dhe përgatitur vetëm në këto tre vite të fundit rreth 30 arbitra të rinj. Për këtë një falënderim i takon Komitetit të Arbitrimit, që ka bërë një punë serioze dhe sistematike. Ky komitet në bashkëpunim me BAFSH ka bërë një punë të lavdërueshme në përgatitjen teorike, duke organizuar çdo muaj seminare për interpretimin e rregullave të reja, duke qenë koherent në udhëzimet e arbitrave të UEFA-s dhe FIFA-s si edhe në përgatitjen fizike të arbitrave. Bashkëpunim shumë të mirë kemi pasur edhe me FSHF-në teksa së bashku kemi ngritur të gjitha strukturat e arbitrave dhe komisionet përkatëse”, – tha Kastrati, duke evidentuar sidomos arritjet historike të arbitreve femrave dhe arbitrat meshkuj në arenën ndërkombëtare.

“Një element shumë pozitiv që duhet evidentuar është rritja e numrit të femrave arbitre. Ka rritje në profesionalizëm dhe në aktivitet. Për t’u theksuar si një arritje e rëndësishme aktivizimi për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar e një arbitre femër siç është Emanuela Rusta, e para arbitre femër që ka drejtuar ndeshje në kategorinë Abissnet Superiore, Kupën e Shqipëisë dhe që nuk do të jetë rasti i vetëm. Do të punojmë që edhe vajzat e tjera të jenë pjesë e kësaj eksperience, madje me pretendimin që në një kohë shumë të afërt pa harruar edhe ndeshjet kombëtare të femrave, ku tashmë siç dihet ne kemi dy treshe femra të FIFA-s të përfaqësuara denjësisht edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Tjetër arritje është pjesëmarrja për herë të parë në një finalet e Europianit U-19 për vajza ku mori pjesë asistentja jonë Erinda Kume, – vijoi Kastrati. -Ne kemi të drejtë të krenohemi edhe me disa arbitra meshkuj për arritje si kurrë më parë. Arbitri Enea Jorgji kaloi në kategorinë e parë të arbitrave ët UEFA-s dhe si rrjedhojë caktohet nga Komiteti i Arbitrave të UEFA-s për projektin Talent & Mentor 2022. Caktimi i tij në ndeshjet në grupe e ka justifikuar plotësisht dhe më së miri investimin tonë dhe të UEFA-s, duke vlerësuar edhe përkushtimin e tij në të gjitha ndeshjet. Arbitri Juxhin Xhaja është një tjetër arritje dhe sukses i edicionit 2022 në UEFA. Performanca e tij e mirë në finalet e U-17 bëri që ai të fitonte besimin e drejtuesve të arbitrimit europian dhe të jetë pjesë e perspektivës”, – theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, presidenti i Shoqatës së Abitrave shqiptarë, BAFSH, Tahir Kastrati.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img