Sunday, May 19, 2024

Women’s Champions League-Vllaznia e femrave, mundet në shtëpi nga PSG. Mikeshat nga Parisi dominuan takimin, por ka ankesa për gjykimin. Një gol i mohuar për kuqeblutë, penallti e dyshimtë dhe një gol i shënuar me faull për francezet

Lexo

Vllaznia-PSG  0-4(Shënuese: / Kadidistou Diani 19’, 36’, Ramona Bachmann 60’. Magnaba Folquet 81’)

Vllaznia: Mosier, Maliqi, Shala, Meghan, Ramadani, Doçi, Franja, Berisha, Gjini, Gjergji, Popoviç(U aktivizuan: Lufo, Borçi, Kodra). Traner: Nikolin Leka

PSG: Picaud, De Almeida, Karchaoul, Bachmann. Diani, Fazer, Cascarino, Marterns, Groenen, Li, Yang. Trajner: Gerard Precheur

Gjyqtarë: Frida Nielsen, Fie Bruun, Sidsel Rasmussen. E katërt: Frederikke Lydia(Danimarkë)

Vllaznia në futboll për femra, pjesë e grupit A të Women’s Champions League, luajti mbrëmjen e së enjtes ndeshjen e katërt të fazës së grupeve duke pasur përballë kampionen e Francës PSG. Kundërshtar ky, me të cilin skuadra kuqeblu u ndesh edhe dy javë më parë në transfertë duke u mundur me rezultatin 5-0.

Përballja në shtëpi ndaj këtij kundërshtari pritej të ishte disi më ndryshe se në tre takimet e mëparshme ku Vllaznia i kishte humbur të gjitha.

Edhe pse Presidenti Lazër Matija, hapi dyert e stadiumit “Loro Boriçi” për hyrjen falas të tifozëve, falë motit me reshje të dendura shiu, si dhe temperaturave të ulta, ndikuan në një pjesëmarrje modeste të tifozëve shkodranë.

Megjithë dëshirën dhe këmbënguljen e futbollisteve kuqeblu për të rivalizuar me kundërshtarin në kërkim të një rezultati pozitiv, kampionet e Frances ishin më të sigurta në veprimet e tyre duke arritur të shënojnë katër gola në portën e Vllaznisë, njëri prej të cilëve, ai i treti me autore Ramona Bachmann ishte një supergol për nga mënyra e realizimit.

Megjithatë, në fitoren e thellë të PSG-së, 0-4, një “dorë” ia dha edhe arbitrimi i ndeshjes, i cili sipas edhe specialistëve të gjykimit pati të meta në vendimmarrje. Kështu, arbitrja kryesore, danezja Frida Nielsen, së bashku me bashkështetaset e saj Fie Bruun, Sidsel Rasmussen dhe Frederikke Lydia, favorizuan dukshëm skuadrën mike.

Fjala është për një gol mohuar të Vllaznisë, ku edhe pamjet filmike tregojnë qartë, se portjerja franceze, Costance Picaud, pas një gjuajtje të futbollisteve të Vllaznisë, shfaqet së bashku me topin  brenda vijës fatale të portës së saj.

Pakënaqësitë e skuadrës kuqeblu vijojnë të jenë prezente edhe në dy raste të tjerë flagrante. Fillimisht me një penallti të diskutueshme dhënë në favor të kampiones së Francës, dhe më pas edhe të një goli tjetër të shënuar me faull nga ana e skuadrës kundërshtare.

Në të gjithë këto raste, reagimi i futbollisteve të Vllaznisë, dhe sidomos i kapitenes Franja, ka qënë i madh ndaj arbitres kryesore, Frida Nielsen, e cila jo vetëm që nuk ka  ndryshur mendim, por nga ana tjetër ka kërcënuar për ndëshkim me karton.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img