Monday, November 25, 2024

Arlind Kalaja, firmos në Suedi për Ljungskile Sk. Mesazhi thumbues për KF Vllaznia!

Lexo

“Nga sot jam lojtar i ri i LjungskileSk dhe do të luaj në Ettanfotboll Suedi për 2 vitet e ardhshme.

Gëzuar dhe gati për aventurën e re!

Le ta marrim atë !!!” 

Ky është mesazhi që futbollisti shkodran, Arlind Kalaja, ka postuar në rrjetin social FB duke lajmëruar skuadrën e tij të re, me të cilën ka nisur aventurën e re në kampionatin suedez. Një mesazh që nuk lë pa thumbuar KF Vllaznia, ku jashtë dëshirës së tij u detyrua të ndërpresë bashkëpunimin me skuadrën e zemrës Vllaznia, aty ku u lind dhe u rrit si futbollist.

25 vjeçari ka qënë pjesë e rëndësishme e klubit kuqeblu gjatë sezonit të kaluar futbollistik ku Vllaznia fitoi Kupën e Shqipërisë dhe u shpall nënkampione e vendit me pikë të barabarta me durrsakët që fituan trofeun. Madje, ai ka spikatur edhe si golashënues në ndeshje të rëndësishme të sezonit duke qënë përcaktues në marrjen e tre pikëshit nga skuadra kuqeblu.

Por, siç është thënë edhe më herët, prurjet e shumë emrave nga jashtë, që për hirë të së vertetës nuk bëjnë diferencën me futbollistët shkodranë, ndikuan në lënien në hije të këtij kontigjenti, përfshirë edhe vetë Kalanë.

Ajo që i vuri kapak një situate të tillë, ishte firmosja që KF Vllaznia bëri në janar me mesfushorin francez, Mikael Panos. Firmosje kjo që detyroi shkodranin Kalaja të kërkojë hapësira dikund tjetër, pasi kuqeblutë preferuan të mbajnë Panos, futbollist ky, që për hirë të së vertetes, jo vetëm që nuk vlen për ekipin e parë, por as për atë U-21, aty ku marrin minuta lojtarë të ekipit të parë.

Hatërmbetja

Mesazhi thumbues në postimin e Arlind Kalasë. ….kur thotë …. Le ta marrim atë !!!”,  është i qartë, se ku ka dashur të godasë. Megjithatë, në komunikimin që Veriu Sport kishte me Kalanë, ai i uron Vllaznisë nga Suedia, të ketë vetëm suksese, por…duke i kujtuar drejtuesve që mos të harrojnë të vlerësojnë lojtarët që ka në shtëpi!

Një mesazh, që shpresojmë të merret në konsideratë, të paktën për pjesën tjetër të kontigjentit shkodran që Vllaznia ka në dispozicion. Krahas të tjerave, këtu nuk bëhet fjalë, jo vetëm për mungesën e hapësirave të futbollistëve të rinjë shkodranë kundrejt atyre të huaj që nuk bëjnë diferencën, por edhe për mirëmenaxhimin e shumave të majme financiare që kontigjenti i huaj përfiton në raport me ato shkodran, kontratat e të cilëve janë në kufijtë e të arsyeshmes.

Firmosja në Suedi

Në fakt, Veriu Sport e kishte paralajmëruar një mundësi të tillë kalimi të Arlind Kalasë në futbollin suedez, që në janar, kur mesfushori gjendej atje, jo vetëm për të shijuar pushimet e ndërrimit të viteve, por edhe me misionin e gjetjes së skuadrës së re, pasi më herët kishte mbyllur bashkëpunimin me Vllazninë.

Dhe, tashmë është gjithçka zyrtare. Arlind Kalaja është futbollist i skuadrës suedeze, Ljungskile Sk, ku në bazë të kontratës së nënshkruar, për dy vite është pjesë e këtij klubi që luan në Divizionin e parë të Suedisë.

Sipas bisedës së Veriu Sport zhvilloi me futbollistin shkodran, Arlind Kalaja, ai ka vijuar të stërvitet rregullisht prej tre muajsh në Suedi, ndërkohë që firma zyrtare ka ardhur në prag të fillimit të Kampionatit Suedez, i cili në ndryshim nga vendet e tjera, ai starton në muajin prill. Ndeshjen e parë skuadra e re e Kalasë do ta luajë me datë 2 prill në transfertë, por Arlindi nuk do të ketë mundësi të jetë në fushën e lojës për vonesë të mbërritjes së dokumentacionit nga FSHF. Ndërkohë, ndeshja e parë e tij me Ljungskile Sk do të jetë në javën e dytë, kur skuadra e tij luan në shtëpi.

Pas Vllaznisë ku ka luajtur pjesën më të madhe të karrieres sportive, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë, si dhe Kukësin dhe Teutën e Durrësit, Ljungskile Sk i Ettanfotboll të Suedisë është skuadra e katërt që Arlind Kalaja provon në karrierën e tij sportive.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img