Friday, December 27, 2024

Armando Broja: Dua ta çoj Shqipërinë në një Kupë Bote! Talenti shqiptar në një intervistë speciale për “The Players Tribune”

Lexo

“Kështu, babai im ma thotë këtë gjë gjatë gjithë kohës. Dhe nëse do ta njihnit babanë tim, do ta dinit që ai e ka përgjysmë me shaka. Ndoshta edhe vetëm një çerek.

Ai thotë: “Armando, nuk të lejohet të ndalosh së luajturi futboll derisa ta çosh Shqipërinë në një Botëror!”

Nëse nuk e dini, Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë për Kupën e Botës.

Megjithatë, sinqerisht, në të vërtetë më pëlqen presioni dhe më pëlqen ta kem atë si objektiv – pavarësisht se sa i madh apo i largët duket tani. Është gjithmonë në mendjen time.

Dua t’ju tregoj pak se nga vjen ai mentalitet dhe çfarë do të thotë për mua të përfaqësoj Shqipërinë. Gjithçka fillon me babin tim.

Ai ka qenë gjithmonë kaq i dëshpëruar për të pasur sukses dhe që fëmijët e tij t’ia dalin. Duke u rritur, nuk kishte asnjë minutë për të humbur. Koha ishte gjëja më e çmuar për të.

“ke vetëm 24 orë në ditë dhe shpenzon pothuajse gjysmën e kësaj kohë duke fjetur…”

Mbaj mend që ai do të më shihte të ulur për të luajtur FIFA ose diçka tjetër dhe ai do të më thoshte, “Në vend që të kalosh një orë në PlayStation, mund të kalosh atë orë duke u stërvitur …”.

Ai thjesht nuk mund ta mendonte ndokënd që nuk dëshironte të përdorte kohën e tij absolutisht në maksimum. Të bëjë që çdo sekondë të ketë vlerë.

Ndaj ne u stërvitëm shumë.

Më kujtohet kur isha i vogël dhe sapo fillova futbollin, ai kthehej vonë nga puna dhe ishte i rraskapitur. Mund të ishte ora 10 apo 11 e natës dhe ai mund të kishte punuar 15 orë gjatë ditës, por ai gjithmonë pyeste: “Armando, a e ke bërë stërvitjen sot?”

Natyrisht duke gënjyer, do të thosha, “Mmm, po?”

Megjithatë, ai do ta dinte të vërtetën dhe ne do të shkonim në park dhe ai do të më bënte të vrapoja xhiro. Njëzet herë rreth fushës.

“Arrrr, babi! Pse??”

“Jo. Jo. Jo. Nuk te dëgjoj. Vazhdo përndryshe do të bëhen 30.”

Kur pata një rritje të shpejtë fizike rreth të 16-ave, ai u shqetësua se do të humbisja shpejtësinë. Hapi ka qenë gjithmonë një nga pikat e mia të forta. Kështu që ai më nxori jashtë për të bërë sprinte në kodra për një orë çdo seancë. Unë në thelb isha duke u rrëzuar nga kodra kur vinte fundi dhe ai ishte aty duke qëndruar mbi mua dhe thoshte: “Jo, fillo përsëri. Një tjetër. Mbrojtësit do të të kapin.”

Bëjmë shaka tani që suksesi im është 50-50. Gjysma e imja, gjysma e tij dhe e mamasë sime. Ata bënë punën që nuk shihet. Megjithatë, në ato vite të hershme, balanca peshonte shumë më shumë në anën e tyre.

Ju gjithashtu duhet të kuptoni se nga vjen babai im. Ai dhe mamaja ime u larguan nga Shqipëria për në Angli në fillim të të 20-ave, kur mamaja ime ishte shtatzënë me motrën time më të madhe.

Prindërit e mi kishin shumë pak dhe nuk kishte shumë mundësi në fshatin e tyre. Ata ishin shumë të vendosur për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Por ishte e vështirë për ta edhe në Angli. Ata nuk kishin para dhe nuk flisnin asnjë fjalë anglisht. Në kohën kur linda unë, ne jetonim të gjithë në një dhomë në pjesën e pasme të një hoteli në Slouh.

Kemi vuajtur kështu për disa vite. Prindërit më kanë treguar histori të vjetra dhe kam parë foto të atyre kohërave, por kujtimi i vetëm i vërtetë që kam është një arush pellushi tigër që e përdorja si jastëk në atë dhomë ku flinte e gjithë familja.

Babai im bëri gjithçka që mundi për të na siguruar jetesën në ato vite. Ai e nisi nga fundi, duke bërë punë ndërtimi, duke ndërtuar shtëpi, duke shtruar tulla. Ai ishte një punëtor kaq i zellshëm, aq i vendosur. Kishte gjithmonë njerëz të gatshëm për t’i dhënë një punë.

Përfundimisht, ai u bashkua me një mik dhe ata mblodhën para mjaftueshëm për të krijuar kompaninë e tyre duke instaluar pishina. Kohët e fundit, ai ka bërë edhe disa pishina për futbollistë të tjerë hahaha!

Tani ai është më i vjetër dhe i dhemb shpina, por ai është shefi i vetes. Ai thjesht kishte atë ADN ku nuk mund të ndalej kurrë derisa të kishte sukses.

Dhe për ne si fëmijët e tij, nuk kishte opsion tjetër. Çfarëdo që të dëshiroje të bëje, duhej ta bëje sa më mirë që të mundeshe, duke dhënë gjithçka.

Ishte sikur të thoshte: “kjo është rruga juaj për t’ia dalë, rruga juaj drejt suksesit. Ju duhet të luftoni për të për çdo minutë që keni në dispozicion në ditë”.

Për mua ky ishte futbolli. Babai e pa këtë tek unë herët. Më pëlqente sporti, por isha pak i egër si fëmijë, plot energji. Unë kisha nevojë për strukturë. Ai më stërviti, më mësoi, u sigurua që isha në rrugën e duhur ndërsa përparoja nëpër akademitë te Totenham dhe më pas te Çelsi. Mendoj se e kishte të ngulitur në mendje që djali i tij do të bëhej një ikonë shqiptare. Si R9 shqiptar hahahahaha.

Që ta dini, duke u rritur, unë isha i fiksuar pas Kristiano Ronaldos, si shumica e fëmijëve të brezit tim. Por babai im ishte i fiksuar pas Ronaldos tjetër. Brazilianit.

Gjithçka që dëgjoja ishte për R9.

Por unë isha shumë i vogël për ta parë të luante dhe kur babai fliste për R9 (Shënim: Ar – najn në gjuhën angleze), nuk e dija se çfarë donte të thoshte. Mua më dukej si Arnine.

“Armando, dua që të jesh si Arnine! Duhet të luash si Arnine”.

“Arnine, Arnine, Arnine.”

Kush është Arnine?

Pastaj më tregoi klipet në YouTube. Babai im dhe unë uleshim atje dhe shikonim video pas video të Ronaldos duke bërë gjërat e tij për Real Madridin dhe Brazilin dhe babai im më shtonte detajet e karrierës dhe legjendës së tij. Edhe unë shpejt u dashurova me të gjithashtu.

Një tjetër emër me të cilin u njoha duke u rritur ishte Lorik Cana, i vetmi shqiptar që ka luajtur në Premier League para meje.

Ai fitoi trofe me klube të mëdha në Francë dhe Itali, si dhe luajti një sezon në Premier me Saderland, në 2010/11. Praktikisht emri i tij është një legjendë në Shqipëri.

Kështu është atje. Nëse përfaqësohesh në skenën e madhe, emri yt mbetet në histori. Je një ikonë.

E shijova këtë kur shënova golin tim të parë në Premier League në sezonin e kaluar.

Kur topi preku rrjetën kundër Lids, unë humba në atë moment. Nuk dija as si të festoja – ishte vetëm ndeshja ime e parë si titullar në Premier League! E dija që edhe prindërit e mi po çmendeshin në stadium gjithashtu, por vetëm pas ndeshjes kur po kontrolloja nëpër rrjetet sociale nisa ta shikoja: Armando Broja është shqiptari i parë që shënon në Premier League.

Oh, uau.

Pas pak kohe fillova ta kuptoja, çfarë do të thotë të bësh histori.

Më bëri të mendoj për një gjë tjetër që babai im na thoshte gjithmonë kur rriteshim: “Sigurohuni që njerëzit ta mbajnë mend emrin tuaj, shumë kohë pasi të keni jetuar “.

Më duket se me Shqipërinë kjo gjë është e mundur. Dhe unë e dashuroj këtë.

Ishte një moment kur Anglia U-21 më donte dhe, po, mendova për këtë dhe atë që doja për të ardhmen time, por sinqerisht … nuk më duhej të mendoja shumë gjatë.

Jam rritur në Angli, por jam krenar që jam shqiptar.

Kudo që jetonim si familje, ishte gjithmonë një shtëpi shqiptare, e dini? E zhurmshme. Plot me shumë debate të vogla, por shumë e bashkuar. Nuk më kujtohet një natë kur nuk uleshim dhe hanim darkë si familje.

Prindërit e mi u siguruan që kultura të ishte rrënjosur thellë tek unë. Udhëtuam shumë drejt Shqipërisë kur isha duke u rritur, në mënyrë që të mësoja gjuhën dhe të takoja të gjithë familjen time – ju betohem që të gjithë ata që hasëm në Kamicë ishin kushërinj të mi.

Sinqerisht, pak njerëz e dinë se çfarë vendi i bukur është Shqipëria, me plazhe të mrekullueshme, fshatra të bukur dhe njerëz të ngrohtë e miqësorë.

Sa herë që udhëtoj për ndeshjet me kombëtaren dhe vesh fanellën kuqezi ndjej këtë krenari dhe emocion të pabesueshëm.

Është vendi i prindërve të mi dhe kultura ime, por më pëlqen gjithashtu që në ekipin shqiptar mund të marrësh përgjegjësi dhe ka pritshmëri edhe pse një lojtar i ri. Mund të hedhësh hapin dhe të bëhesh yll. Dhe nëse bën mirë, mund të bëhesh një ikonë përjetësisht.

Unë e kam përjetuar tashmë “Arenën Kombëtare” në Tiranë duke thirrur emrin tim dhe nuk ka ndjesi më të mirë.

Sinqerisht, natën kur luajtëm me Poloninë vitin e kaluar, nuk kisha përjetuar kurrë një atmosferë të tillë në Premier League apo askund tjetër. Ishte çmenduri!

Isha duke u ngrohur në anë të fushës dhe mund të dëgjoja të gjithë stadiumin duke thirrur emrin tim. Kjo ishte e pabesueshme. Mamaja ime më tha më pas se ajo edhe shpërtheu në lot haha! Atë natë ndjeva dashurinë dhe respektin e vendit dhe i detyrohem çdo shqiptari të jap më të mirën time çdo herë. Të bëj të ketë vlerë çdo sekondë.

E di që kam vendosur objektiva të larta.

Dua të jem Herri Kejn. Ronaldo apo R9 i Shqipërisë.

Dua ta çoj vendin tim në një Kupë Bote.

Dhe kur karriera ime të ketë mbaruar, dua që emri im të jetojë. Për Shqipërinë. Për babin tim.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img