Arsenali ka fituar trofeun e parë të futbollit anglez, që të dielën pasdite ka ngritur siparin e sezonit të ri, duke mposhtur Mançester Sitin në duelin e “Community Shield”, siç njihet ndryshe Superkupa e Anglisë. Në fakt, përballja tradicionale vë përballë kampionen me fituesen e Kupës, por duke qenë se Mançester Siti i fitoi të dy trofetë, në duelin e së dielës u përball me skuadrën që e sfidoi gjatë gjithë sezonit të shkuar, Arsenali.
Pjesa e parë e kësaj sfide, që u zhvillua në mitikun “Uembli” në prani të 81,1455 tifozëve, u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ka shpërthyer vetëm në çerekorën e fundit të saj.
Kris Palmer dërgoi në rrjetë një pasim të Kevin De Bryjnes, duke e kaluar skuadrën e trajnerit Pep Guardiolës në epërsi dhe në rrugë të mbarë për t’i shtuar një tjetër trofe koleksionit që po pasurohet gjithnjë e më tepër. Por teksa u dhanë 8 minuta shtesë, që u bënë 11, Arsenali arriti të barazonte shifrat pikërisht në fundin e tyre me anë të Trosardit, por falë një devijimi të pafat të mbrojtjes kundërshtare.
Kështu, gjithçka iu drejtuar goditjeve nga pika e bardhë, aty ku Mançester Siti humbi të parën dhe të 3-tën, përkatësisht me De Bryjne dhe Rodrin, teksa midis tyre Bernardo Silva u tregua i saktë, kurse Arsenali i realizoi të 4 goditjet, me Odegardin, Trosardin, Sakanë dhe Vieiranë, duke bërë kështu të vetin trofeun e parë të futbollit anglez dhe duke vendosur njëkohësisht edhe kandidaturën për të qenë një nga sfidantet e skuadrës së Guardiolës për titullin në sezonin e ri.