Shqipëria barazoi ndaj Çekisë ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme, e vlefshme për grupin B1 të Nations League. Në stadiumin “Air Albania”, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjon u ndalën në barazimin pa gola 0-0.
Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Çekisë: Thomas Strakosha (GK), Ivan Balliu, Adrian Ismajli (C), Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Mario Mitaj, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Indrit Tuci, Nedim Bajrami, Jasir Asani.
Minutat e para të takimit ishin të qeta, ndërsa në vazhdim çekët rrezikuan dy herë në portën tonë. Shqipëria reagoi me Bajramin që pati dy mundësi të mira, por pa sukses. Kombëtarja kreu zëvendësimin e parë në minutën e 30-të. Nga loja doli Asani i dëmtuar dhe u aktivizua Taulant Seferi.
Kuqezinjtë tentuan sërish dhe në fundin e pjesës së parë ishin shumë pranë golit me Qazim Laçin, por goditja me kokë u ndal nga portieri kundërshtar. Pjesa e parë u mbyll 0-0.
Fraksioni i dytë nisi me kuqezinjtë më kërkues. Në të 53-ën Shqipëria pati një rast të mirë me Laçin, por goditja u ndal nga mbrojtësi kundërshtar.
Trajneri Silvinjo aktivizoi në pjesën e dytë edhe Muçin, Abrashin dhe Uzunin. Kuqezinjtë kërkuan deri në fund golin, por ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura, Gjithçka u mbyll me rrjeta të paprekura, duke lënë gjithçka të hapur në këtë grup, me kuqezinjtë në kuotën e 7 pikëve, aq sa Gjeorgjia, ndërsa Çekia ndodhet në kuotën e 8 pikëve. Ukraina është me 5 pikë.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grupin B1 në UEFA Nations League të martën, më 19 nëntor ndaj Ukrainës. Takimi do të luhet në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.