Tuesday, November 26, 2024

Barazim në gjysëmfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia. Protesta të kuqebluve për anulimin golit

Lexo

Partizani-Vllaznia 0:0

E enjte, 31 mars 2022, ora 17:45, Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan

Partizani Hoxhaj,  A. Marku, Belica, Bitri, Hadroj; Matondo, Murataj, Mala, Kallaku, Skuka, Stenio Junior. Trajner Dritan Mehmeti

Vllaznia (4-2-3-1): Zogovic; Kruja, Adili, Diagne, Hakaj; Jonuzi, Krymi; Latifi, Da Silva, Hoxhaj; Aralica. Trajner: Elvis Plori

Gjyqtar: Olsid Ferhataj 

Është mbyllur në barazim, 0 me 0 gjysëmfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë,  Partizani-Vllaznia. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”, ishte shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, të cilat duke qënë se në kampionat aktualisht janë jashtë zonës Europiane, kualifikimin në finale dhe fitoren e trofeut e shikojnë si shpëtimin e sezonit.

Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, në një terren të rënduar nga reshjet e shiut, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, 0-0.

Përpjekjet e të dyja skuadrave për të shënuar golin e avantazhit, vijojnë edhe në 45 minutat e dyta. Të kuqtë e Partizanit i afrohen ndjeshëm golit, por Vllaznia është me fat pasi topi i goditur me kokë nga sulmuesi Skuka përfundon në shtyllën pingule të portës të mbrojtur nga Zogoviç.

Ndërkohë, minuta e tretë shtesë ka rezervuar momentin kulmor. Goditje këndi për Vllazninë, topi harkohet në zonë. Shtatlarti i sulmit kuqeblu, kroati Anti Aralica fiton dyluftimin ajror me mbrojtësin Belica duke e dërguar topin me kokë në rrjetën e portjerit Hoxha.

Kuqeblutë, i gëzohen golit të avantazhit, por pas verifikimit me pamjet e sistemit VAR, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Olsi Ferhataj, e anuloi atë duke sinjalizuar për faull në favor të Partizanit.

Me rifillimin e lojës, vërshëllima e gjyqtarit Ferhataj mbyll të gjithë ndeshjen duke mbetur në fuqi rezultati i bardhë, 0 me 0. Pakënaqësitë në kampin kuqeblu janë të shumta duke u shoqëruar me reagimin e futbollistëve, stafit teknik si dhe tifozërisë shkodrane që ndoqi ndeshjen në tribunën e “Elbasan Arena”.

Rasti i sotëm në “Elbasan Arena” nuk është i vetëm, pasi Vllaznia është ndëshkuar edhe herë të tjera nga vendimet e diskutueshme të arbitrave, ndaj me të drejtë, shkodranët kërkojnë t’i jepet fund padrejtësive që po u bëhen Vllaznisë në lidhje me gjykimet.

Pas këtij barazimi, 0-0 të ndeshjes së parë, gjysëmfinalja e dytë e Kupës së Shqipërisë do të luhet pas dy javësh në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku do të vendoset edhe fati i skuadrës që shkon në finale.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img