Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për MCN TV, pas barazimit me Dinamon.
Tetova deklaroi se ishte një ndeshje me dy tablo. I pyetur për ecurinë në kampionat, ku nuk njohin fitore prej 5 ndeshjes, Tetova tha se duke bërë rotacion, është marrë risku për këtë situatë.
Ishte ndeshje me dy tablo. Pjesë e parë me dy ekipet e ekuilibruar, pritëm kush gabon më shumë. Në pjesën e dytë shënuam me një episod. Patëm shanse edhe pas golit, por duhet pranuar kjo që ndodhi me një gabim në tranzicion dhe pësuam.
Mbrojtësi duhet të ishte pak më i shpejtë te sulmuesi. Janë situata loje që nuk është nga pasimi apo meritë e Dinamos dhe ndodhin këto situata. Ishim në ekuilibër, por ne ishim më afër golit.
Disa javë pa fitore më shqetësojnë, por këtë e kemi marrë përsipër me rotacionin për të sjellë lojtarët në formë. Ishim me 3 mungesa, Aleksi, Ndreca dhe Fernando hyri i dëmtuar. Modifikuam modulin sot. Me rikthimin e skemës sonë, çdo gjë ishte në ekuilibër. Kishim vështirësi në krahun e majtë. Aleksin e zëvendësoi mirë Ahmetaj.
Mendojmë që kemi ndeshjen e Kupës një herë përpara, pastaj të mendojmë për Tiranën. Tani fillohen e ngushtohen diferencat e do të mundohemi që të bëjmë më mirë.
Mendoj se gjithë këtë e ka sjellë forma e rotacionit, se kur ti fokusohesh që do të bësh gjithçka që nuk i ka frytet sot për nesër, këto janë kurba që në duhet t’i pranojmë dhe kemi marrë përsipër që t’i pranojmë.
E kemi marrë këtë risk me rotacionin, kjo nuk i jep frytet sot. Këtë na e bën të mundur edhe komoditeti. Por kur fillojnë e shtrëngohen gjërat më shumë se sa duhet, atëherë do të ndërhyjmë.