Basket Meshkuj-Vjen fitorja e parë për skuadrën e Bekteshit. Kuqeblutë mundin Tiranën në kryeqytet, 98-100 Tirana-Vllaznia 98-100 (30-25, 20-21, 22-18, 26-36)

Tirana-Vllaznia 98-100 (30-25, 20-21, 22-18, 26-36)

ormacioni i Vllaznisë: Aaron Njike, Jarius Jathniel Shumpert, Redi Rakaj(C), Elian Memçaj, Sead Kopliku, Rajen Mbiara, Dren Hafizi, Edon Kuçi, Antonio Shabani, Veton Gjeçaj, Elidon  Bitri. Trajner: Damian Bekteshi

Kampionati Kombëtar i Superligës në basketboll meshkuj luajti fundjavën e kaluar, ndeshjet e javës së nëntë. Kalendari i rezervoi Vllaznisë të luante në transfertë  me ekipin e Tiranës.

Një ndeshje kjo e një rëndësie të veçantë për skuadrën kuqeblu, pasi duke ardhur pas tetë humbjeve radhazi në kampionat dhe vendi i fundit në tabelën e klasifikimit, kërkohej patjetër reagimi në kërkim të fitores së parë.

Dhe, reagimi i parë pozitiv vjen pikërisht në këtë javë ku skuadra kuqeblu regjistron fitoren e parë pas nëntë javëve kampionat. Djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi, mes të cilëve edhe tre basketbollistët amerikanë, kanë mundur Tiranën me rezultatin 98-100.

Rivaliteti i këtij dueli ka qënë shumë i madh, duke sjellë jo pak emocione gjatë të gjithë periodave të takimit. Bardheblutë e kanë nisur më mirë, teksa fitojnë periodën e parë me shifrat 30-25, ndërkohë që në periodën e dytë është Vllaznia që fiton 20-21, por që në pushimin mes dy pjesëve, Tirana kryeson 50-46.

Vendasit, vijojnë të jenë në avantazh edhe në periodën e tretë, ku pas fitores së këtij fraksioni 22-18, kryesojnë me rezultatin 72-64. Por, ajo që vendos përfundimisht është perioda e katërt, aty ku Vllaznia fiton me dhjetë pikë diferencë, 26-36, duke arritur të përmbysë rezultatin në favorin  e saj 98-100.

Fitore kjo, që krahas të tjerëve, ka kontributin e amerikanit Smith, si dhe të talentit shkodran, Elian Memçaj, të cilët spikatën si pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes, i pari me 29 dhe i dyti me 23 pikë.

Fitorja ndaj Tiranës në transfertë është hap pozitiv për Vllazninë, por pozita e saj në tabelën e klasifikimit vazhdon të jetë në vendin e fundit të renditjes. Çka, për të dalë nga kriza e përfshirë si asnjëherë tjetër, duhet të shoqërohet edhe me fitore të tjera për të shmangur rënien nga kategoria Superiore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu