Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar gjysmëfinalja e dytë bashketboll meshkuj mes Tiranës dhe Teutës. Ndeshja ka përfunduar me fitoren e Tiranës me rezultatin 78-63. Tirana dhe Besëlidhja janë skuadrat finaliste të edicionit 2022-2023 në Superligën e basketbollit për meshkuj të cilat do të ndeshen për trofeun më të rëndësishëm kombëtar në sportin e koshit. Bardheblutë rikthehen në finale pas 5 vitesh, që prej suksesit të 2018-ës, ndërsa për lezhjanët kjo është një arritje historike për klubin.
Ndeshja e djeshme e Tiranës dhe Teutës u zhvillua në sallën “Farie Hoti” në një atmosferë të ndezur dhe të mbushur plot nga tifozëria e zjarrtë kryeqytetase.
Bardheblutë fituan me rezultatin 78-63 (18-18, 21-23, 19-15, 20-7) në një lojë të luftuar, në të cilën nuk munguan as tensioni dhe shkëndijat mes lojtarëve në parket, por që në fund gjithçka u mbyll me “fair play”. Një ndeshje që ngjasonte më tepër me një finale, takim me shumë faulle dhe mbrojtje agresive nga të dyja kampet.
Ndonëse Teuta shkoi deri në +8 pikë avantazh në fillim të periodës së tretë, Tirana reagoi mjaft mirë dhe ktheu gjithçka në favor, për ta përfunduar me festë para tifozërisë së zjarrtë. Julian Hamati me 23 pikë, 17 ribaunde e 3 asiste, si dhe Klein Strazimiri me 10 pikë, 10 asiste e 6 ribaunde, ishin lojtarët më vendimtarë në fitoren e djeshme për skuadrën e Erkand Karajit.
Ndërkohë, Teuta, e drejtuar nga Melzin Lazimi, e lëshon fronin pas dy titujve radhazi kampion, por gjithsesi e mbyll sezonin me dy trofe të fituar, Kupën dhe Superkupën.
Nga ana tjetër, Besëlidhja ka arritur një sukses ku për herë të parë në histori do të jetë pjesë e finaleve të Superligës. Lezhjanët i mbyllën llogaritë me Kamzën me dy ndeshje.
Skuadra e Afrim Bilalit fitoi 58-87 (11-22, 21-20, 12-18, 14- 27) në gjysmëfinalen e dytë të zhvilluar në palestrën “Halit Coka”. Heroi i Besëlidhjes ishte i zakonshmi, Jordan Robinson, autor i 33 pikëve e 17 ribaundeve.
Besëlidhja e udhëhoqi ndeshjen gjatë gjithë kohës, duke mos e diskutuar fitoren, e cila ishte me plot meritë. Në fund të pjesës së parë lezhjanët kryesonin me 10 pikë diferencë. Fraksioni i dytë nisi më mirë për Kamzën, por që nuk vazhdoi gjatë, teksa ngushtimi shkoi deri në 6 pikë. Në fund të periodës së tretë diferenca u thellua në 16 pikë duke u vulosur rezultatin 58-87.
Kështu, Besëlidhja ka mundësinë të vijojë të ëndërrojë, për të shkruar diçka të jashtëzakonshme në historinë e këtij klubi, fitimin e titullit kampion.
Më 19 prill Besëlidhja dhe Tirana do të zhvillojnë sfidën e parë në “Asllan Rusi”, që do të hapë edhe serinë e finaleve.
(Video) Pamje nga ndeshja, Kamza -Besëlidhja 58-87.