Ekipet më të mira të basketbollit shqiptar janë angazhuar për të dytën javë me radhë në aktivitetin e Kupës së Shqipërisë për femra dhe meshkuj, sezoni 2020-2021. Në javën e dytë të ndeshjeve të Kupës, Grupi A, Vllaznia në basketboll për meshkuj është ndeshur me ekipin e Kamzës. Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Durrësit është shoqëruar me rivalitet nga fillimi deri në fund. Vllaznia fiton periodën e parë me shifrat 29-28, por në periodën e dytë është ekipi i Kamzës që fiton me shifrat 22-26 duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultatin 51-54 në favor të Kamzës.
Pas pushimit në dhomat e zhveshjes, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri amerikan Johns luan më mirë gjë që refektohet me fitoren e periodës së tretë me shifrat 26-16, fitore kjo që i jep avantazhin Vllaznisë në shifrat 77-70.
Por, kur mendohej se Vllaznia do ta administronte avantazhin prej 7 pikësh diferencë, është Kamza e drejtuar nga një trajner shkodran si Eni Llazani që përmbys gjithçka. Perioda e katërt dominohet terësisht nga ekipi i Kamzës, i cili duke fituar këtë period me shifrat 18-28, arrin të fitojë të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm, 96-98.
Një fitore kjo e merituar për Kamzën dhe trajnerin e saj, ish basketbollistin e njohur shkodran, Eni Llazani, ndërkohë që për Vllazninë ka kritika nga ana e drejtuesve por edhe e tifozërisë shkodrane, jo vetëm për humbjen me Kamzën por edhe në garën e Kampionatit, ku me paraqitjet jo pozitive, duket se Vllaznia nuk është në pritshmëritë e fitimit të trofeve të sezonit, ashtu siç u premtua me marrjen e kontigjentit amerikan në gjirin e kuqebluve. Në javën e tretë të Kupës Vllaznia dotë ketë perballë ekipin e Elbasanit, ndeshje që do të luhet ditën e Martë ora 15:00 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.