Ndërkohë që aktiviteti kombëtar i basketbollit në Shqipëri vazhdon të jetë i bllokuar si rezultat i masave të marra për pandeminë, basketbollistët kuqeblu kanë filluar të largohen nga Shkodra. Më herët, nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia u bë e ditur se të larguarit e parë ishin basketbollistët amerikanë, të cilët ishin kontraktuar nga drejtuesit kuqeblu për të qënë pjesë e skuadrës shkodrane këtë sezon sportiv, por mungesa e aktivitetit i detyroi të kërkonin hapësira në kampionatet e tjera, në Europë, apo Amerikë. Ndërkohë, për të njëjtin qëllim, largime ka edhe nga basketbollistët shkodranë, dhe konkretisht, është kapiteni kuqeblu, Robert Shestani, i cili ka zgjedhur Kosovën për të luajtur këtë sezon, meqë atje qeveria vendase ka lejuar zhvillimin e kampionateve të lojrave me dorë. Destinacioni i Shestanit është qyteti i Gjakovës duke firmosur me klubin vendas të basketbollit Vëllaznimi.
Nga sa bëhet e ditur, drejtuesit e K.B. Gjakova kanë kohë që e ndjekin kapitenin kuqeblu, përfshirë edhe pjesëmarrjen e tij të fundit në dy ndeshjet e radhës për fazën paraeliminatore të Botërorit 2023 të zhvilluara në transfertë përballë Bjellorusisë dhe Portugalisë, ndeshje këto që Shestani kishte një përformancë të shumë të mirë në fushën e lojës si organizator i kuqezinjëve. Dhe, menjëherë pas kthimit nga Portugalia, shkodrani 27 vjeçar pranoi ofertën e Klubit të Basketbollit Vëllaznimi duke udhëtuar drejt Gjakovës ku menjëherë është vënë në dispozicion të trajnerit Ljupcho Malinkov, emër ky i njohur si zv.trajner i kombëtares së Maqedonisë Veriore, që për këtë sezon drejton skuadrën gjakovare të koshit.
Lajmi në fjalë bëhet i ditur zyrtarisht nga vetë klubi gjakovar duke përcjellë edhe njoftimin në fjalë: “Robert Shestani, organizatori i kombëtares Shqiptare i bashkohet KB Vellaznimit. Shestani ishte pjesë e kombëtares ne formacionin e parë ne dy ndeshjet e fundit kundër Portugalisë dhe Bjellorusisë. Përvoja e Robertit pritet të jetë një ndihmë e madhe për klubin. Mirëserdhe Robert!”
Më tej, duke folur për cilësitë e basketbollistit shkodran, klubi gjakovar shkuar:
“Shestani është i rregullt te kombëtarja shqiptare dhe mesatarisht ka 29.1 minuta për ndeshje, ndërsa njihet si organizator solid me mesatare të konsiderueshme të asistimeve për kombëtaren, 3.5 për ndeshje. Me Vllazninë, Shestani në stinorin e kaluar ka pasur mesatare prej 7.8 pikëve për ndeshje, 2.1 asistimeve dhe 30 minutave lojë në BIBL. Vëllaznimi që tashmë ka bilans 1-4 në Superligë dëshiron t’i ikë pjesës së poshtme të tabelës dhe të sigurojë Play-Of-in e Superligës përgjatë stinorit, me mundësi befasie më tej.”
Kujtojmë se përpos Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Robert Shestani ka luajtur edhe për ekipe të tjera të kampionatit shqiptar, si SK Tirana, Partizani dhe Teuta.
Gaspër MARKU