Tuesday, April 23, 2024

Kalendar i ngjeshur për Superioren, ndeshje deri me 30 dhjetor

Lexo

Periudha e bojkotit në javët e para të sezonit nga Superliga, ka detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit të ngjesh së tepërmi kalendarin e ndeshjeve deri në atë masë sa ndeshja e javës së 12-të të luhet me datë 30 dhjetor. Përpos Anglisë që shquhet për aktivitetin e saj futbollistik në data festash, madje në shumë raste edhe me 1 janar, në kampionatet e tjera të Europës një gjë e tillë nuk ndodh. Kështu që, futbolli shqiptar këtë sezon bën përjashtim duke dënuar vetveten falë atij bojkoti absurd që në fund të fundit, deri më tani nuk ka përfituar asgjë nga kërkesat dhe ultimatumet e vazhdueshme që iu përcollën qeverisë shqiptare. Por, të luajturit deri me datë 30 dhjetor është e keqja më e vogël, pasi sërishmi, efekti bojkot detyron një ngjeshje tjetër edhe në fillimin e vitit të ri 2021. Janari, që sistematikisht ka qënë muaji i përgatitjeve të fazës dimërore, këtë radhë nuk do të jetë i tillë. Që do të thotë, se nëse sezonet e mëparshme, ndeshjet zyrtare kanë startuar në fund të këtij muaji, apo fillim të shkurtit, tashmë Superiorja do të jetë zyrtarisht në fushën e lojës që me datë 9 janar me ndeshjet e javës së 13-të. Konkretisht, këtë fundjavë luhen ndeshjet e javës së gjashtë dhe deri në fund të muajit, do të zhvillohen shtatë ndeshje radhazi, sistematikisht në datat 4-5 dhjetor, 9, 13, 19, 23, 27 dhe 30 dhjetor.

Pamvarësisht se ato nuk ishin pjesë e bojkotit, ngjeshjen e kalendarit do ta vuajnë edhe ekipet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë, ndeshjet e të cilëve do të mbyllen më datë 23 dhjetor dhe rikthimi i tyre do të bëhet më 16 janar, gjë për të cilën nuk ka ndodhur asnjëherë që këto kategori të zhvillojnë ndeshjet në këtë muaj të parë të vitit.

Duke iu rikthyer kategorisë Superiore, bëhet me dije se java e gjashtë është planifikuar të luhet në dy ditë, 4 dhe 5 dhjetor. Kjo javë fillon me derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani që luhet të premten, ora 18.00 në stadiumin “Air Albania”. Katër ndeshjet e tjera, mes tyre edhe çifti Vllaznia-Bylis do të luhen të shtunën në dy orare të ndryshme. Vllaznia-Bylis dhe Skendërbeu-Laçi janë planifikuar të startojnë në orën 13.45, ndërsa dy çiftet e tjera, Teuta-Kastrioti dhe Kukësi-Apolonia në orën 16.45.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img